
Një seri ngjarjesh të rënda kriminale në Suedi, përfshirë të shtëna me armë dhe një komplot të dyshuar për shantazh, janë duke u hetuar nga policia si të mundshme të lidhura me transferimin e bujshëm të sulmuesit Viktor Gyokeres te Arsenali, me vlerë prej 64 milionë paund.
Autoritetet suedeze janë duke analizuar dy incidente me armë zjarri në zonën Huddinge pranë Stokholmit, ku dyshohet se objektivi mund të ketë qenë një i afërm i një agjenti të përfshirë në marrëveshjen e transferimit. I afërmi në fjalë raportohet se është mburrur për përfitimet e tij nga marrëveshja, duke përmendur se kishte përfituar një pjesë të tarifës së lartë të nënshkrimit – çka mund të ketë nxitur një përpjekje për shantazh ndaj tij.
Policia konfirmoi se është duke shqyrtuar mundësinë që incidentet me armë të kenë lidhje me përpjekjen për zhvatje parash. Askush nuk është lënduar nga të shtënat, por situata po trajtohet me seriozitet për shkak të lidhjeve të mundshme me krimin e organizuar dhe industrinë e futbollit.
Ndërkohë, Frederico Varandas, presidenti i Sporting Lisbonës – ish-klubi i Gyokeres – deklaroi publikisht se “shantazhet dhe fyerjet” nuk do ta kishin detyruar klubin të pranonte asnjë marrëveshje që nuk ishte në përputhje me interesat e tyre.
Një agjent i sulmuesit suedez nuk konfirmoi dhe as mohoi përfshirjen në ndonjë skemë shantazhi, por u shpreh: “Kjo është një industri shumë e ndjeshme, ku, për fat të keq, ndodhin edhe gjëra të tilla.”
Policia suedeze, që po përballet me një valë në rritje të krimeve të bandave, ka vënë në dukje se organizatat kriminale po synojnë gjithnjë e më shumë agjencitë e futbollit për shkak të shifrave të mëdha financiare që qarkullojnë në këtë sektor.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar për lidhjen direkte mes incidentit dhe transferimit të Gyokeres.
Top Channel