Samiti në Alaskë me Putin, Trump hap “derën” për diplomaci të re me Ukrainën: Nëse çdo gjë shkon mirë, do zhvillojmë një takim të dytë me Zelenskyn

14/08/2025 17:01

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar në një intervistë për Fox News Radio se takimi i tij i shumëpritur me presidentin rus Vladimir Putin do të jetë në qendër të agjendës së tij të nesërme – dhe mund të ketë pasoja të menjëhershme për diplomacinë me Ukrainën.

Trump deklaroi se nëse takimi me Putinin rezulton i suksesshëm, ai do të telefonojë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar mundësinë e një takimi të dytë mes tyre. Sipas Trump, ky takim mund të zhvillohet në disa vende të mundshme, përfshirë edhe Alaskën.

Megjithatë, i pyetur nëse Zelensky është “në gatishmëri” për të udhëtuar në rast se bisedimet me Putinin ecin mirë, Trump u tregua i rezervuar, duke thënë se nuk do të spekulojë nëse një takim i dytë do të ndodhë realisht.

Lidhur me komunikimin me publikun pas takimit me presidentin rus, Trump shtoi se “mund të jetë diçka e këndshme” që ai dhe Putin të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp. Megjithatë, ai theksoi se në rast se bisedimet nuk shkojnë sipas planit, do të flasë vetëm për mediat përpara se të kthehet në SHBA.

Takimi Trump–Putin pritet me interes të lartë në skenën ndërkombëtare, ndërsa deklaratat e fundit hapin mundësi për zhvillime të reja diplomatike me ndikim të gjerë.

Top Channel