
Saga e madhe e merkatos verore ka në qendër të saj Alexander Isak. Sulmuesi i Newcastle thuhet se ka vendosur të largohet dhe madje nuk do të luajë më për klubin, edhe nëse nuk realizohet transferimi para mbylljes së merkatos më 1 shtator.
Destinacioni i tij i preferuar është kampionia Liverpool, ndërsa drejtuesit e “Magpies” po bëjnë gjithçka për ta mbajtur.
Liverpool ka ofruar rreth 127.5 milionë euro në fillim të gushtit – një shifër që do të thyente rekordin e Premier League, të cilin vetë “Reds” e vendosën këtë verë me transferimin e Florian Wirtz për 125 milionë euro. Oferta u refuzua menjëherë, pasi Newcastle kërkon afërsisht 170 milionë euro për ta lënë suedezin të largohet.
Isak është pa dyshim një nga sulmuesit më të mirë të ligës, por historia e tij me dëmtimet ngre pikëpyetje për një investim kaq të madh. Që nga ardhja në Newcastle në vitin 2022, ai ka humbur plot 39 ndeshje për klubin dhe kombëtaren.
Në sezonin e parë mungoi 18 ndeshje për shkak të një dëmtimi në gju, ndërsa dëmtimet e tjera më të vogla i kanë shtuar edhe 21 mungesa të tjera. Sezoni i kaluar ishte më i qëndrueshmi për të, por frika për rikthimin e problemeve mbetet.
Edhe pse te Real Sociedad kishte pasur fat më të mirë me dëmtimet, periudha te Borussia Dortmund u shoqërua me 23 mungesa në tre sezone.
Top Channel