Qetësohet situata në fshatrat e Gramshit/ Banorët rikthehen në banesa, vijon groposja e bagëtive të djegura

14/08/2025 08:57

Paraqitet më e qetë situata këtë mëngjes në fshatrat e Gramshit të cilët prej tre ditësh janë përfshirë nga flakët. 

Ulja e temperaturave, ulja e intensitetit të erës, por dhe puna e qindra ekipeve të terrenit kanë bërë që sot situata të jetë më e qetë. Ka ende vatra aktive në fshatrat e Skënderbegasit dhe Kodovjatit, por ato po mbahen nën monitorim nga autoritetet dhe po punohet për fikjen e tyre.

Kanë filluar ndërkohë të kthehen në banesat e tyre banorët, pasi rrugët janë të hapura dhe nuk përbën rrezik.

Më vonë ekipet do të kthehen në fshatra për evidentimin e dëmeve dhe do të kemi një statistikë paraprake.

Paralelisht po punohet për groposjen e bagëtive të djegura për evitimin e çdo epidemie të mundshme.

Kujtojmë se 3 njësi administrative në Gramsh u përfshinë nga flakët. Në Skëndërbegas u dogjën 7 fshatra, u prek nga zjarri fshati i 8, Narta, por fatmirësisht autoritetet arritën ta shpëtojnë këtë fshat.

Zjarri në Gramsh shënoi dhe viktimën e parë në vend, një 80 vjeçar i cili dyshohet të jetë dhe autori i këtij zjarri.

Top Channel