Presidenti i Brazilit sulmon Trump: Në vendin tim do të përballej me drejtësinë për trazirat e 6 janarit

14/08/2025 07:21

Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, i është kundërpërgjigjur fushatës së ish-presidentit amerikan Donald Trump ndaj gjyqësorit brazilian, duke theksuar se nëse sulmet e 6 janarit në Kapitolin e SHBA-së do të kishin ndodhur në Brazil, vetë Trump do të ishte përballur me drejtësinë.

Këto deklarata vijnë në mes të tensioneve në rritje mes dy vendeve, pas vendimit të administratës Trump për të vendosur tarifa deri në 50% mbi importet braziliane, si dhe për sanksionimin e një gjyqtari të Gjykatës së Lartë të Brazilit. Ekspertët e diplomacisë e kanë cilësuar këtë si përçarjen më të madhe në marrëdhëniet SHBA–Brazil në dekadat e fundit.

Tarifat dhe sanksionet janë interpretuar si një përpjekje për të ndihmuar aleatin e Trump, ish-presidentin Jair Bolsonaro, i cili është nën hetim për përfshirjen në një përpjekje të dyshuar për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022. Ai përballet me një dënim potencial deri në 40 vite burg, në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme të Brazilit.

Në një aktivitet në kryeqytetin Brasília, Lula deklaroi: “Ajo që po bëjmë është diçka që ndodh vetëm në vendet demokratike – gjykojmë njerëzit bazuar në prova, deklarata të dëshmitarëve dhe me prezumim të plotë të pafajësisë. Kjo është demokraci në nivelin më të lartë.”

Ai shtoi më tej: “I kam thënë Presidentit Trump, nëse ajo që ndodhi në Kapitol do të kishte ndodhur në Brazil, ai do të ishte gjykuar edhe këtu.”

Lula hodhi poshtë akuzat e administratës Trump për shkelje të të drejtave të njeriut në Brazil, duke e cilësuar raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.

“Nuk ka arsye për të goditur Brazilin me tarifa, dhe nuk do të pranojmë të na thuhet se nuk respektojmë të drejtat e njeriut,” tha ai.

Presidenti brazilian denoncoi gjithashtu përpjekjet e SHBA-së për të ushtruar presion mbi pesë gjyqtarët që do të vendosin për fatin e Bolsonaros dhe shtatë bashkëpunëtorëve të tij të dyshuar. Sipas Lulës, këto përpjekje synojnë të ndërhyjnë në një proces ligjor që është transparent dhe në përputhje me parimet demokratike.

Duke iu referuar situatës së trazirave në të dy vendet, Lula kujtoi se ndërsa Trump fali rreth 1,500 pjesëmarrës në sulmin ndaj Kapitolit, në Brazil, 141 persona janë dënuar për rolin e tyre në protestat dhe trazirat e 8 janarit 2023, të cilat dyshohet se ishin pjesë e komplotit për grusht shteti të organizuar nga Bolsonaro.

“Nuk duhet të kemi frikë sa herë që vjen një krizë. Krizat ekzistojnë që ne të krijojmë gjëra të reja. Njerëzimi ka arritur më të mirën pikërisht në kohë krizash,” përfundoi Lula.

Top Channel