
Ndërsa sezoni i ri 2025/26 po troket në derë, Premier League e ka bërë sërish të vetën në një fushë që e dominon prej vitesh: merkatoja e transferimeve.
Sipas të dhënave të fundit nga Transfermarkt, klubet angleze kanë përfshirë tregun me shifra marramendëse, duke zënë 8 nga 10 vendet e para për shpenzimet më të larta në top 5 kampionatet kryesore të Europës.
Kush ka shpenzuar më shumë këtë verë?
Në krye qëndron Liverpool, që ka investuar plot 294 milionë euro, ndërsa menjëherë pas vjen Chelsea me 280 milionë euro të tjera, duke e çuar dominimin anglez në një tjetër nivel. Manchester United (230 milionë €), Arsenal (224 milionë €) dhe Manchester City (177 milionë €) e plotësojnë pesëshen e parë.
Vetëm dy klube jashtë Anglisë arrijnë të futen në këtë listë ekskluzive: Atlético Madrid me 175 milionë € në vendin e gjashtë dhe Real Madrid me 168 milionë € në vendin e shtatë.
Top 10-shja përmbyllet me Sunderland (153 milionë €), Tottenham (146 milionë €) dhe Burnley (126 milionë €), duke përforcuar edhe më shumë idenë se klubet angleze – edhe jashtë elitës – janë në një nivel tjetër financiar.
Kush ka shpenzuar më pak?
Në anën tjetër të spektrit, disa klube po ndjekin një qasje krejtësisht ndryshe. Crystal Palace ka shpenzuar vetëm 2.3 milionë euro deri tani, më pak se çdo klub tjetër në ligat kryesore. Pas tij vjen Levante (2.5 milionë €), ndërsa Lecce (3 milionë €), Monaco (3 milionë €) dhe Rayo Vallecano (3.1 milionë €) tregojnë se jo të gjithë po ndjekin garën e milionave.
Interesant është fakti se pesë nga 10 klubet që kanë shpenzuar më pak këtë verë janë nga La Liga, duke reflektuar një tendencë më të kujdesshme – apo të detyruar – ndaj shpenzimeve të mëdha.
Top Channel