Merkato në Itali/ Pavard larg Interit, zikaltrit gjejnë dy zëvendësues! Tare “peshkon” te skuadra e Besnik Hasit, Juventusi përforcon mesfushën

14/08/2025 16:42

Merkatoja e verës në Serie A është ndezur me lëvizje të rëndësishme, ndërsa klubet më të mëdha të Italisë po kërkojnë të përforcojnë radhët në prag të sezonit 2025/26.

Inter: Lamtumirë për Pavard, përforcime në mbrojtje dhe sulm

Inter është në qendër të zërave të merkatos, me dy objektiva kryesorë në mbrojtje pas dështimit për të nënshkruar me talentin e Parmës, Giovanni Leoni, i cili tashmë është drejt Liverpoolit për 36 milionë euro.

Me Benjamin Pavard që mund të transferohet te Galatasaray për 15-20 milionë euro, zikaltrit kanë vendosur në listën e tyre dy emra:

Oumar Solet (Udinese) – një opsion më ekonomik, për të cilin Inter mund të kërkojë huazim me të drejtë blerjeje, ndonëse situata e tij është e komplikuar pasi është nën hetim për një incident të supozuar në maj.

Loïc Badé (Sevilla) – më i kushtueshëm, por me më shumë konkurrencë nga klubet europiane.

Në sulm, Inter ka hapur bisedimet me Atalantën për Ademola Lookman, edhe pse klubi bergamask nuk kërkon ta shesë sulmuesin nigerian në Serie A.

Napoli: Godts për të zëvendësuar Raspadorin

Pas shitjes së Giacomo Raspadorit te Atletico Madrid për 26 milionë euro, Napoli është vënë në ndjekje të Mika Godts, talent i ri i Ajaxit.

Sipas raporteve nga Belgjika, negociatat janë në fazat e para, por palët janë ende larg një marrëveshjeje.

20-vjeçari belg, që ka shkëlqyer në Eredivisie me 8 gola dhe 7 asistime sezonin e kaluar, shihet si një element ideal për fleksibilitetin që ofron në sulm – në krahë ose pas sulmuesit.

Napoli, që tashmë ka nënshkruar me Noa Lang nga PSV këtë verë, vazhdon të investojë te talentet nga kampionati holandez.

Milan: Shikojnë përsëri nga Belgjika për mesfushë kreative

Milan mbetet aktiv në tregun belg, me interes të veçantë për Mario Stroeykens, mesfushor kreativ i RSC Anderlecht, skuadra e drejtuar nga Besnik Hasi.

21-vjeçari, që po hyn në vitin e fundit të kontratës, është një mundësi interesante që Milani shpreson ta shfrytëzojë për një marrëveshje me çmim të arsyeshëm.

Stroeykens ka spikatur sezonin e kaluar me 5 gola dhe 7 asistime në 39 paraqitje, dhe mund të luajë si mesfushor ofensiv apo në krah.

Pas eksperiencave me Saelemaekers, De Ketelaere dhe Jashari, kuqezinjtë vazhdojnë traditën e tyre të investimeve në tregun belg.

Juventus: Matt O’Riley, në pritje të hapësirës në mesfushë

Juventus ka futur në radar Matt O’Riley, mesfushorin e Brighton dhe pjesë e top-3 objektivave të klubit për mesfushën.

Lojtari ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me “Zonjën e Vjetër”, por çdo lëvizje varet nga largimi i Douglas Luiz, i cili do të lirojë vendin dhe buxhetin për transferimin e mundshëm.

Plani i Juventusit është një huazim me detyrim blerjeje, por vetëm nëse bëhet hapësirë në organikë.

Top Channel