“Iso mbi kalldrëm”, aktiviteti i fundit të gushtit sjell polifoninë në rrugët e Gjirokastrës

14/08/2025 12:34

Në qytetin e Gjirokastrës ka nisur edicioni i dytë i ciklit kulturor “Iso mbi kalldrëm”, një aktivitet që do të zhvillohet gjatë çdo fundjave të muajit gusht.

Ky event synon prezantimin e vlerave të isopolifonisë shqiptare, e shpallur nga UNESCO më 25 nëntor 2005 pjesë e trashëgimisë gojore të njerëzimit.

Performancat mbahen në sheshet dhe rrugicat me kalldrëm të pazarit karakteristik, si dhe në hapësirën muzeale. Grupet polifonike nga Gjirokastra dhe Jugu interpretojnë këngë të trashëguara ndër breza por dhe krijime të reja. Artistët shpesh përfshijnë në interpretim edhe vizitorët dhe turistët, duke i udhëzuar ti shoqërojnë me ison ,pjesën karakteristike shumëzërëshe të polifonisë. Eventi po tërheq vëmendjen edhe për kostumet tradicionale të risjella dhe të plotësuara me elementë pothuajse të zhdukur, duke i dhënë një dimension të veçantë vizual performancave.

“Është kënaqësi që marrim pjesë dhe me këngë dhe me trashëgimi; është i veçantë ky aktivitet. Uroj, falënderoj të gjithë që e duan këtë këngë dhe po e përcjellin në Gjirokastër”, shprehet  Arjan Shehu.

“Kjo përcjell traditën; është një kënaqësi për ne dhe për turistët që na ndjekin me vëmendje. Ne përpiqemi të japim maksimumin tonë, që të ngelen të kënaqur jo vetëm qytetarët e Gjirokastrës por edhe turistët”, thotë Xhevahir Sinani.

Sipas bartësve të traditës, ruajtja e isopolifonisë kërkon më shumë vëmendje dhe mbështetje. Ata theksojnë rëndësinë e përfshirjes së të rinjve dhe të ruajtjes së autenticitetit të kostumeve, në mënyrë që kjo trashëgimi shpirtërore të mbetet gjallë për brezat e ardhshëm. “Iso mbi kalldrëm” është kthyer në një festë kulturore që lidh turizmin me trashëgiminë muzikore shqiptare.

Top Channel