“Ishte mirë, papritur…”/ Foshnja 10 muajshe vdes papritur gjatë pushimeve në Turqi! Prindërit kërkojnë ndihmë për ta kthyer trupin në Itali

14/08/2025 15:07

Një tragjedi ka goditur një familje nga Musile di Piave, Itali, teksa ishin me pushime në Turqi.

Arian Roman, një foshnjë vetëm 10 muajshe, ka ndërruar jetë papritur në hotelin ku qëndronin me familjen, pa asnjë shenjë paralajmëruese. Tashmë, përveç dhimbjes së jashtëzakonshme, prindërit po përballen me vështirësinë për të kthyer trupin e të birit në Itali.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e 12 gushtit në Antalya. Arian ishte me prindërit Roxana dhe Bogdan, të dy me origjinë rumune, por që jetojnë në Itali prej më shumë se 20 vitesh. Pushimet dukeshin perfekte, deri në ato momente tragjike.

“U zgjua në orën 5, kishte ngrënë më herët dhe ishte në gjendje të mirë. Kur u zgjuam sërish në orën 7, pamë që kishte njolla në trup dhe ishte bërë vjollcë. E mora në krahë, por ishte pa ndjenja”, tregon nëna, Roxana.

Prindërit kërkuan ndihmë në recepsionin e hotelit ku ishin të akomoduar, ndërsa pushuesit u përpoqën ta ndihmonin fëmijën me masazh kardiak. Fatkeqësisht, edhe pse ambulanca mbërriti dhe Arian u dërgua në spital, nuk mundën ta shpëtonin.

Dhimbja për humbjen e Arianit është bërë edhe më e rëndë për shkak të procedurave të ndërlikuara për kthimin e trupit në Itali. Prindërit, të cilët nuk flasin turqisht dhe kanë shpenzuar tashmë rreth 5 mijë euro për trajtimet spitalore dhe agjencitë funerale, janë të dëshpëruar.

Konsullata italiane në Izmir kërkon dokumente origjinale me postë për të lëshuar pasaportën mortore, duke e vonuar procesin e kthimit. Fluturimi i planifikuar për kthim është sot në mesnatë dhe rrezikon të anulohet, gjë që do të sjellë kosto të tjera për familjen.

Kryetarja e bashkisë së Musile di Piave, Silvia Susanna, ka konfirmuar se zyrat e gjendjes civile janë në kontakt me konsullatën dhe agjencitë për të ndihmuar në përshpejtimin e procedurave. Ajo është ofruar të firmosë çdo dokument të nevojshëm për ta lehtësuar procesin.

Top Channel