
Interi nuk është fokusuar vetëm te Ademola Lookman në këtë merkato verore.
Pavarësisht dëshirës së sulmuesit për t’u transferuar në Milano dhe pritjes që zgjat tashmë prej javësh, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë edhe alternativa të tjera, jo vetëm në repartin ofensiv.
Një emër i ri ka dalë në skenë dhe vjen pikërisht nga kryeqyteti italian: mesfushori i Romës, Manu Koné.
24-vjeçari francez, një profil fizikisht dominues dhe me karakteristika unike në krahasim me mesfushorët aktualë të Chivu-së, i është ofruar Interit nga vetë klubi verdhekuq.
Roma po kërkon ta largojë Konén brenda kësaj dritare transferimesh, dhe Interi po e merr seriozisht në konsideratë mundësinë për të përfituar.
Kjo lëvizje shihet si një hap strategjik nga zikaltërit, në një moment kur Mkhitaryan po afrohet me fundin e karrierës dhe Çalhanoglu nuk është më në nivelin fizik të viteve të kaluara. Koné ishte një nga emrat që menaxhmenti zikaltër kishte monitoruar më parë, sidomos kur Çalhanoglu flirtonte me Galatasarayn për një rikthim në Turqi.
Sidoqoftë, përpara se të finalizohet një transferim i tillë, Interi duhet të zgjidhë situatën me Piotr Zielinski, i cili pritet të largohet brenda 15 ditëve të ardhshme. Ndërkohë, Kristjan Asllani është tashmë jashtë projektit teknik, duke i hapur rrugë një rinovimi në mesin e fushës.
Diskutimet për Konén pritet të zhvillohen në zyrat e Appiano Gentiles në ditët në vijim, paralelisht me negociatat për Lookman. Të dy lojtarët nuk konsiderohen si alternativa mes tyre, çka nënkupton se Interi mund të tentojë të sigurojë të dy shërbimet.
Për Konén, klubi është gati të investojë deri në 30 milionë euro, ndërsa për Lookman, çdo gjë do të varet nga zhbllokimi i situatës me Atalantën, që ende nuk ka dhënë një dritë jeshile për largimin e nigerianit. Me kohën që po mbaron dhe presionin që rritet, Interi po përgatitet të bëjë dy goditje të mëdha në merkato.
Top Channel