
Pas një negociate të gjatë, Ardon Jashari dhe Milani janë gjetur nga e njëjta anë e historisë. Mesfushori zviceran ka debutuar tashmë në një ndeshje miqësore, por gjithmonë ka dëshiruar të vishet me fanellën kuqezi. Klubi e prezantoi zyrtarisht përpara mediave:
“Të luash për këtë klub sjell një presion të jashtëzakonshëm dhe është normale. Do të punoj shumë për të shpërblyer besimin. De Ketelaere? E vetmja gjë që na bashkon është klubi i prejardhjes.”
Jashari tha në konferencën për shtyp: “Ndjesitë e mia për këtë klub janë të jashtëzakonshme, është një ëndërr që realizohet për mua dhe familjen time. Jam këtu prej pak ditësh, por kam marrë një mirëseardhje të ngrohtë nga të gjithë. Jam shumë krenar dhe i nderuar të jem lojtar i Milanit.”
Ai tregoi se negociatat me Bruges ishin të gjata, por dëshira për të ardhur te Milani ishte e qartë që nga fillimi. Në Milanello, trajneri Massimiliano Allegri e priti me profesionalizëm dhe Jashari e vlerësoi atmosferën harmonike në dhomën e zhveshjes.
Mesfushori zviceran veshi fanellën kuqezi pas një negociate shumë të gjatë:
“Të gjithë e dinë që ka qenë një periudhë e gjatë, por që nga kontaktet e para me Tare ishte e qartë dëshira ime për të bërë këtë hap, edhe pse e dija që negociata do të ishte e vështirë sepse isha i rëndësishëm për Bruges dhe nuk do më lironin shpejt. Tare më bëri të kuptoj se do të bënte gjithçka për të më sjellë te Milani, dhe kjo ishte edhe ndjenja ime; i kisha dhënë fjalën Tare dhe Ibrahimovic.”
Si tifoz i vogël i Milanit, Jashari ka admiruar Pirlo-n, duke theksuar ngjashmërinë në pozicionet e lojës: fillimisht trequartista dhe më pas mesfushor më i tërhequr.
Luka Modric do të jetë një nga partnerët e tij në mesfushë, dhe Jashari shprehu se do të përpiqet të mësojë dhe të përfitojë nga përvoja e tij. Ai mezi pret të debutojë në San Siro me fanellën e Milanit.
Në kuadrin taktik të Allegrit, Jashari mund të luajë në pozicione të ndryshme në mesfushë: regjisator ose trequartista. Ai tha se do të ndihmojë ekipin në të dyja fazat – sulmuese me asistime dhe mbrojtëse me vendosmëri. Ai ka marrë shumë inspirim edhe nga Xhaka në përfaqësuesen zvicerane dhe synon të fitojë trofe me Milanin.
Rreth interesit të Interit dhe derbit: “Unë gjithmonë kam dashur të vij te Milani dhe sapo u shfaq mundësia, nuk kisha dyshime. Derbi është i rëndësishëm, por fokusi ynë është të kthejmë këtë ekip aty ku i takon.”
Top Channel