Dhoma e Kancelarisë gjermane ku askush s’mund të përgjojë, sekretet e takimit Zelensky–Trump

14/08/2025 07:32

Në një nga zonat më të sigurta të Berlinit, në katin e katërt të Kancelarisë Federale Gjermane – të njohur nga vendasit si “lavatriçja federale” – u zhvillua një takim i rëndësishëm mes Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump, përmes videokonference.

Takimi, i mbajtur më 13 gusht, u realizua në prani të disa udhëheqësve evropianë dhe u zhvillua në një ambient me siguri maksimale.

Ndërtesa e Kancelarisë ndodhet në zemër të Berlinit, në Willy-Brandt-Straße, përballë Bundestagut dhe pranë lumit Spree. E njohur për arkitekturën e saj moderne me dritare të mëdha dhe strukturë prej betoni të përforcuar, kjo ndërtesë qeveritare është një nga më të mëdhatë në botë dhe simbol i qeverisjes gjermane.

Kati i katërt, i quajtur ndryshe edhe “kati sekret”, është pjesa më e sigurt e Kancelarisë. Aty ndodhet Lagezentrum – “Qendra e Situatave” – ku mbahen takime të nivelit të lartë dhe ku diskutohen çështje të ndjeshme strategjike, kriza ndërkombëtare dhe vendime të mëdha politike. Kjo zonë ofron qasje të drejtpërdrejtë në zyrat kryesore dhe mjediset e pritjes, duke garantuar gjithashtu privatësi të plotë për delegacionet ndërkombëtare.

Dhoma ku u zhvillua takimi Zelensky–Trump është e izoluar plotësisht, pa dritare dhe me masa të rrepta sigurie. Ajo është e pajisur me sistem komunikimi të koduar dhe mbrojtje kundër përgjimeve elektronike. Në raste të tilla, përkthyesit nuk lejohen të marrin pjesë, dhe të gjithë të pranishmit, përfshirë presidentin ukrainas dhe këshilltarët e Kancelarit Federal Friedrich Merz, dorëzojnë telefonat dhe çdo pajisje tjetër teknologjike jashtë para se të hyjnë në dhomë.

Në këtë dhomë zhvillohen çdo ditë takime të brendshme mes Kancelarit dhe përfaqësuesve të ministrive, shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë. Është gjithashtu vendi ku organizohen takimet më të ndjeshme diplomatike.

Një objekt i projektuar për qetësi dhe kontroll absolut

Kancelaria u projektua në vitet 1992–1998 nga arkitektët gjermanë Axel Schultes dhe Charlotte Frank, gjatë kohës kur Helmut Kohl ishte në detyrë. Ajo u hap zyrtarisht në vitin 2001 nga Gerhard Schröder. Ndërtesa përfaqëson qendrën ekzekutive të pushtetit në Gjermani dhe është krahasuar me Dhomën e Situatave (Situation Room) në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë në SHBA – me një dallim të rëndësishëm: ndërsa Dhoma e Situatave amerikane është shpesh në vëmendjen e mediave dhe e shfaqur në filma, “kati sekret” i Kancelarisë gjermane mbetet i rrethuar nga sekretet dhe diskrecioni absolut.

Top Channel