
Humbja tragjike e Diogo Jotës dhe vëllait të tij, André Silva, në një aksident automobilistik në Zamora, ka lënë një plagë të thellë në botën e futbollit.
Lajmi preku jo vetëm bashkëlojtarët dhe tifozët e Liverpoolit, por edhe kundërshtarët në fushë – duke sjellë në pah anën njerëzore të këtij sporti.
Sipas “The Athletic”, Chelsea – fituesit e Kupës së Botës për Klubet 2025 në SHBA – kanë vendosur të dhurojnë një pjesë të shumës së madhe të fituar në turne për familjet e Jotës dhe André Silvës.
Klubi londinez fitoi rreth 100 milionë euro pas triumfit historik ndaj Paris Saint-Germain në finale, por përtej festimeve, skuadra dhe bordi drejtues vendosën unanimisht që një pjesë e shpërblimit për lojtarët të shkonte për të ndihmuar të afërmit e dy vëllezërve të ndjerë.
Çdo lojtar do të kishte marrë mbi 13 milionë euro si pjesë e çmimit total, por vendimi për të ndarë këtë shumë me familjet në nevojë u mor nga vetë dhoma e zhveshjes, duke treguar solidaritetin e rrallë në botën e futbollit modern.
Ky gjest nga Chelsea i shtohet një sërë homazhesh për ish-sulmuesin e Liverpoolit: klubi anglez ka pensionuar fanellën me numrin 20, ka nisur ndërtimin e një statuje përkujtimore dhe do të mbajë emblemën “Forever 20” gjatë gjithë sezonit 2025/26. Ajo që ka befasuar më shumë është përqafimi i këtij simboli edhe nga tifozët e klubeve rivale, në një shenjë respekti dhe nderimi për Jotën.
Në një vit të mbushur me gara të forta dhe sfida sportive, ky veprim i Chelseat do të mbetet si një nga momentet më prekëse të sezonit – një kujtesë se futbolli nuk është vetëm rezultat dhe trofe, por edhe zemër, empati dhe bashkim në kohë dhimbjeje.
Top Channel