Zjarri në Parkun Natyror të Gërmenjes pranë kufirit grek, ekipi i emergjencave hap rrugën në pyll për mjete zjarrfikëse

13/08/2025 19:39

Situata e vatrës së zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjes në territorin e bashkisë Kolonjë dhe në afërsi me kufirin grek, është mbajtur që në orët e para të mëngjesit e gjatë gjithë ditës së sotme në kontroll e monitorim, duke punuar për të parandaluar përhapjen e perimetrit të zjarrit brenda kurorës zonë e mbrojtur, nga ekipi i MZSH Kolonjë, punonjësit e drejtorisë rajonale të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura e vullnetarë të zonës, mbështetur nga efektivë ushtarakë të xhenjos, të cilët ndërhynë për demontimin e municioneve të konstatuara në zonë.

Shërbimi i bashkisë Kolonjë ka punuar gjithashtu edhe me skrep për të hapur rrugë pyjore, në mënyrë që mjetet zjarrfikëse të afrohen sa më pranë sipërfaqes së prekur, e cila ndodhet në një distancë rreth dy orë larg në një terren jo të lehtë për t’u përshkruar.

Shtabi i emergjencave civile vendore po planifikon dhe organizon për vijimin e ndërhyrjes nesër që herët në mëngjes, duke komunikuar e koordinuar veprimet edhe me strukturat e palës greke.

Top Channel