Zjarret e frikshme në Delvinë, reagon i prekur banori: Po më digjet shtëpia e re, të paktën shpëtuam kokën

13/08/2025 14:35

Delvina u përball me zjarre që përpinë banesat dhe rrezikuan jetën e banorëve.

Hari Konduri, një nga banorët e një prej fshatrave që po digjet në Delvinë, u shpreh i prekur për Top Channel, se shtëpia e tij e re u përfshi nga flakët, por të paktën arritën të shpëtonin gjallë.

“Aq shumë lot kemi derdhur, saqë edhe zjarri duhej të fikej nga lotët tona. Shtëpia e re po më digjet atje.

Këtë vit ka pasur aq shumë zjarre, saqë nuk kishin forcën që ta përballonin. Zjarri ka qenë shumë i madh, tmerr.

Kishte shumë punonjës, por çfarë të bënin?! Mekanizmat e bëjnë punën.

Na detyruan që të iknim, të largohemi. Nuk e kam menduar ende se ku do iki. Mendoj vetëm shtëpinë time. Shtëpi e re. 5-6 vjet kisha që e kisha ndërtuar. Nuk jetoja aty. Jam emigrant. Vija shpesh dhe qëndroja aty. Ishte shtëpia e kujtimeve, e nostalgjisë fëmijërore. Atje kam lindur, atje jam rritur.

Të paktën shpëtuam kokën”, u shpreh banori.

Top Channel