
Autoritetet në Kopenhagë mund të përballen me një faturë prej dhjetëra milionë krone, pasi u zbulua se qyteti ka arkëtuar në mënyrë të paligjshme tarifa martese nga rreth 12,000 çifte gjatë shtatë viteve të fundit.
Shumica e çifteve që janë prekur nga kjo praktikë janë jo-rezidentë në Danimarkë, kryesisht turistë që kanë zgjedhur kryeqytetin danez për të kurorëzuar dashurinë e tyre.
Sipas raportimeve, një tarifë që shkonte deri në 4,500 krone (rreth 600 euro) është aplikuar për ceremonitë që zhvilloheshin në orare të caktuara në bashki, ose në vende të posaçme në natyrë. Por ligji danez e lejon tarifimin vetëm në rastet kur çifti kërkon vetë një vend tjetër nga bashkia.
Për pasojë, Komuna e Kopenhagës mund të detyrohet të kthejë deri në 23 milionë krone (rreth 2.7 milionë paund).
Niels Peder Ravn, anëtar konservator i komitetit të kulturës dhe kohës së lirë në Kopenhagë, e cilësoi situatën si “skandali i dasmave”.
“Kjo do të thotë që taksapaguesit e Kopenhagës do të duhet të paguajnë për kthimin e këtyre tarifave. Këto janë fonde që do të prekin drejtpërdrejt sportet dhe aktivitetet kulturore për qytetarët tanë,” – tha Ravn.
Pavarësisht skandalit, Kopenhaga mbetet një destinacion i njohur për “wedding tourism”. Vetëm gjatë vitit të kaluar, rreth 5,000 çifte ndërkombëtare u martuan në qytet, duke sjellë një qarkullim deri në 120 milionë krone për ekonominë lokale – përfshirë hotelet, restorantet, fotografinë, floristët dhe shërbimet e tjera.
Lars Ramme Nielsen nga Dhoma Daneze e Tregtisë e quajti situatën “fatkeqësi administrative”, por theksoi rëndësinë ekonomike të këtij fenomeni:
“Përveç aspektit romantik, këta vizitorë sjellin të ardhura të mëdha për qytetin,” – u shpreh ai. “Shpresojmë që të gjendet një zgjidhje që ruan dhe përmirëson këtë industri.”
Skandali ka ringjallur debatet politike mbi rishikimin e ligjit danez. Disa politikanë kërkojnë që në të ardhmen të lejohet zyrtarisht tarifimi i çifteve jo-daneze, për të evituar situata të ngjashme dhe për të mbështetur buxhetin vendor.
Top Channel