
Zjarret e fuqishme kanë përfshirë për të dytën ditë radhazi rajonin e Greqisë Perëndimore, me Patrën në qendër të alarmit.
Ekipet e zjarrfikësve po luftojnë për të ndalur përhapjen e flakëve në periferi të qytetit, ndërsa erërat e forta e bëjnë situatën gjithnjë e më të vështirë.
Një front i ri është aktivizuar në Mavrovouni dhe Skydra, në prefekturën Pella, ndërsa Komuna e Ziros në Prevezë ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme.
Në Filipiadën e vjetër, dy fronte po kërcënojnë zonat e banuara duke lëvizur drejt Rizovunit dhe Pantanasës.
Zjarre të tjera raportohen në Kiliomenos dhe Pantokratoras në Zakynthos, ndërsa në Athera të Kefalonisë situata ka shënuar përmirësim. Paralajmërime për evakuime janë dhënë nga sistemi emergjent 112 në Kios, Prevezë dhe disa zona pranë Patras.
Pamjet nga terreni janë tronditëse: shtëpi të djegura, ullishte dhe të mbjella të reduktuara në hi, dëme të mëdha në rrjetin elektrik dhe kafshë të ngordhura nga flakët.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis vizitoi Qendrën Kombëtare të Koordinimit për Menaxhimin e Krizave, ku u raportua se deri tani zjarret kanë shkrumbuar afro 100 mijë hektarë tokë në mbarë vendin.
Ndërkohë, erërat e fuqishme në Epir kanë krijuar vështirësi në aeroportin e Janinës, duke sjellë anulime dhe devijime të fluturimeve drejt Athinës.
Top Channel