
Merkato në Itali, ashtu si në shumë vende, ka hyrë në periudhën e saj më të nxehtë, me klubet që duan të bëjnë lëvizjet e fundit përpara startit të sezonit të ri.
Liverpool është pranë blerjes së mbrojtësit të ri italian Giovanni Leoni për 35 milionë euro, por mbetet pasiguria për minutazhin e tij për shkak të konkurrencës në skuadër.
Milani ka nisur kontaktet me Manchester United për sulmuesin Rasmus Hojlund, i cili është i hapur për rikthim në Serie A, por marrëveshja duket e vështirë.
Antonio Conte te Napoli e quan ekipin “kantier të hapur” dhe kërkon ende afrime pavarësisht blerjeve të shumta.
Te Juventusi, Dusan Vlahovic mbetet në qendër të vëmendjes dhe po pengon lëvizjet në merkato.
Ndërkohë, tratativa për Lookman mes Interit dhe Atalantës është në ngërç, ndërsa Pio Esposito po tregon formë të mirë si alternativë në sulm.
Liverpool-Leoni: marrëveshja mund të mbyllet me 35 milionë, por mbetet çështja e minutave që do të luajë
Giovanni Leoni mund të përfaqësojë rastin e radhës të “arratisjes” së një talenti. Qendërmbrojtësi i ri italian, pasi është përmendur nga të gjitha skuadrat e mëdha të Serie A, duket gjithnjë e më pranë një transferimi te Liverpool. “The Reds” janë të bindur për investimin te një lojtar që e konsiderojnë me të ardhme të sigurt dhe janë gati të plotësojnë në tërësi kërkesat e skuadrës emiliane: 35 milionë euro, përfshirë bonuset.
Leoni ndihet i vlerësuar nga interesi i anglezëve dhe do të ishte shumë i lumtur të transferohej në “Anfield”. I vetmi dyshim lidhet me minutat që lojtari i lindur në 2006 mund të gjejë në Angli: është e vërtetë që aktualisht Arne Slot ka vetëm dy qendërmbrojtës në dispozicion (Virgil Van Dijk dhe Ibrahima Konate, i cili me vetëm një vit kontratë të mbetur mund të largohet shpejt), përveç Joe Gomez, i cili është i dëmtuar prej kohësh. Por, sipas të fundit zërave, Liverpool është shumë afër të marrë edhe Marc Guehi nga Crystal Palace për 35 milionë. Një konkurrencë e fortë që mund t’i heqë hapësirën Leonit, duke vënë seriozisht në rrezik edhe një thirrje nga kombëtarja në rast kualifikimi në Botërorin e ardhshëm.
Milani serioz për Hojlund: kontaktet e para mes klubit dhe menaxherit, lojtari i hapur për transferim
Negociatat mes Milanit dhe Manchester United për sulmuesin Rasmus Hojlund po hyjnë gjithnjë e më shumë në fazën vendimtare. Pas kontakteve të fundit mes dy klubeve përmes ndërmjetësve, “Djajtë e Kuq” kanë hapur derën e shitjes dhe kuqezinjtë janë të interesuar për danezin. Mbrëmë vonë, ka pasur një kontakt të parë mes Milanit, në veçanti Furlanit, dhe Kees Vos, pronarit të agjencisë SEG që menaxhon interesat e lojtarit. Hojlund e ka kuptuar se ka mbetur jashtë projektit të Amorim dhe është i hapur për transferimin në Milano.
Të gjendet një marrëveshje nuk do të jetë e lehtë, por është e qartë që Milani ka nevojë për një qendërsulmues dhe United është i gatshëm ta shesë. Në ditët e ardhshme priten zhvillime të tjera, por duket se negociatat do të zgjasin, pasi nuk është e lehtë të përputhen të gjitha palët. Ashtu si në rastin Inter–Atalanta–Lookman, në Milano hapet një tjetër “front me tre”. Milani dhe United po flasin, danezi dëgjon dhe pret të bindet plotësisht nga oferta e mundshme. Pas një sezoni me vetëm 4 gola në Premier League, ish-lojtari i Atalanta-s nuk do ta refuzonte një rikthim në Serie A, kampionati që e lansoi drejt “Old Trafford” në vitin 2023 për plot 70 milionë euro.
Conte kundër rrymës: “Blerje? Janë bërë mjaft, por duhen ende”
Në konferencën për shtyp nga Castel di Sangro, ku Napoli po përfundon fazën përgatitore përpara miqësores së nesërme kundër Olympiacos, Antonio Conte u shpreh:
“Përfunduam një periudhë të rëndësishme pune, sezoni parapërgatitor është një kohë kur punohet shumë dhe ku përpiqemi të vazhdojmë punën me lojtarët që kemi konfirmuar dhe të përshtatim lojtarët e rinj. Të thuash se jemi një ‘kantier i hapur’ më duket përshkrimi më i saktë. Jam i kënaqur me djemtë, po punojmë mirë si me ata që ishin, ashtu edhe me të rinjtë. Është e qartë se me të rinjtë duhet më shumë kohë për t’u përshtatur.”
Conte shtoi: “Ekuilibrimi është baza e gjithçkaje. Po provojmë disa zgjidhje, sepse do të jetë një sezon i gjatë me shumë ndeshje. Kemi punuar shumë me 4-3-3, një sistem që i përshtatet kësaj skuadre, por duhet ende të përmirësojmë disa mekanizma, sidomos në fazën sulmuese.”
Juve, test me Next Gen: Vlahovic vazhdon të bllokojë merkaton
Pas 87 ditësh, “Allianz Stadium” është gati të përshëndesë Juventusin. Janë shitur tashmë 27 mijë bileta për sfidën e brendshme kundër skuadrës Next Gen, që do të zhvillohet në orën 18:30. Jonathan David kërkon golin e parë si bardhezi, por sytë do të jenë te Dusan Vlahovic, “Zoti Jo” që po bllokon merkaton. Pyetja është: “Si do ta presin tifozët sulmuesin serb?”. Nëse gjykon nga reagimet në rrjetet sociale, për të do të jetë një pasdite e vështirë.
Bremer, Milik, Perin dhe Savona nuk do të jenë të pranishëm për arsye të ndryshme, ndërsa Douglas Luiz, edhe pse në listë, mbetet me shumë gjasa jashtë.
Lookman: tratativa në vendnumëro, ndërkohë Inter buzëqesh me Pio Esposito
Saga Lookman–Atalanta–Inter nuk po gjen zgjidhje dhe pritja vazhdon për të kuptuar nëse dhe si do të zhbllokohet kjo negociatë që është kthyer në një maratonë. Lojtari po stërvitet në Londër, pranë familjes, dhe ka refuzuar një ofertë nga Arsenal, duke pasur në mendje vetëm Interin. Por asnjë palë nuk po bën hapin e parë vendimtar. Atalanta këmbëngul se do ta shesë vetëm sipas kushteve të saj, Inter nuk rrit ofertën, dhe lojtari është i vendosur te zikaltërit.
Ndërkohë, një sinjal pozitiv vjen nga Pio Esposito, i cili shënoi një gol të bukur ndaj Monza-s, pas paraqitjeve të mira në Kupën e Botës për Klube. Nuk e zëvendëson Lookman, por është një kartë pozitive në një merkato që mezi po nxjerr ndonjë “as”. Me Thuram, Lautaro Martinez dhe Bonny, Esposito është një zgjedhje e mirë e katërt për sulmin. Pyetja është: a do t’i shërbejë Lookman atij me pasime sezonin e ardhshëm?
Top Channel