
Situata në frontin e zjarreve në Patra, qyteti i tretë më i madh i vendit, mbetet ende tragjike dhe jashtë kontrollit.
Zjarret që kanë shpërthyer të martën detyruan evakuimin e banorëve të të paktën 25 vendbanimeve, ndërsa urdhërohen banorët e shumë zonave të braktisin shtëpitë e tyre, raporton korrespondenti i Top Channel, Aleksandër Marku.
Në ditën e dytë, flakët që digjnin ullishte dhe pyje pishe jashtë qytetit,tashmë kanë mbërritur në lagjet periferike duke djegur shtëpi dhe biznese në zonën industriale dhe duke ndërprerë trafikun rrugor dhe hekurudhor. Dy spitale janë evakuuar ashtu si edhe një qendër për të moshuarit. Nuk janë raportuar viktima, por dëmet janë të shumta. Vetëm në doganën e Patrës janë djegur mbi 550 automjete të konfiskuara.
Mbi 5000 zjarrfikës në të gjithë vendin si dhe vullnetarë e banorë, vazhdojnë të luftojnë në frontet e zjarrit, por intensiteti i erërave dhe relievi i zonës, i kombinuar me temperaturat e larta, kontribuojnë në ndryshimin e situatës dhe zjarret e vogla të shpërndara, të cilat kontrollohen nga zjarrfikësit, përsëri rindizen.
“Situata mbetet e vështirë. Dhe për nesër, të enjten, parashikohet një rrezik shumë i lartë zjarri në shumicën e zonave të vendit. Jemi në zemër të sezonit të zjarreve.Çdo zjarr i ri që shpërthen shpejt merr përmasa të rrezikshme“, thotë Vasilis Vathrakogiannis, zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës.
Dhjetëra persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të atmosferës mbytëse nga tymi që gjatë dy ditëve ka mbuluar qytetin. Probleme të shumta kanë disa lagje me energjinë elektrike dhe ujin.
Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes Civile ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për Prevezën dhe ishullin e Zakinthos. Sipas Shërbimit zjarrfikës, në gjithë vendin janë përballuar sot 109 zjarre, 48 prej të cilave shpërthyen vetëm orët e fundit.
Vetëm në 24 orët e fundit janë prekur nga zjarret më shumë se 10.000 hektarë tokë pyjore, një pjesë e mirë në ishullin Hios, por edhe në Zakintho dhe Kefaloni ku kamerat regjistruan pamje tragjike nga pyjet e këtyre ishujve krejtësisht të shkrumbuara.
Top Channel