Analizë/ Vrasja e të riut në Nju Jork për një zinxhir prej ari, një tragjedi pranë meje dhe militarizimi i Uashingtonit

13/08/2025 11:00

Federico Rampini

Kthimi ynë nga pushimet u shoqërua nga një tragjedi shumë pranë shtëpisë. Ndërsa ishim ende duke udhëtuar në Itali, morëm lajmin për vdekjen e një punëtori të ri që punonte në ndërtesën tonë: Adami, djali 21-vjeçar i një portieri tjetër, Larry.

Vetëm pas mbërritjes në Nju Jork mësuam detajet tragjike. Adami po ecte në Bronx, ku jetonte, kur u qëllua për vdekje me dy plumba gjatë një grabitjeje për një zinxhir të artë. Në të njëjtën ngjarje, një tjetër i ri humbi jetën, gjithashtu viktimë e dhunës gjatë një përpjekjeje për grabitje.

Funerali u mbajt pardje. Ende nuk kemi parë të atin, Larryn, të cilin kolegët e përshkruajnë si thellësisht të tronditur dhe të dëshpëruar — ndjenjë krejtësisht e kuptueshme. Banorët e ndërtesës kanë nisur një mbledhje fondesh për të ndihmuar familjen, e cila përballet jo vetëm me dhimbjen, por edhe me kostot e mëdha ligjore. Në një paradoks të ashpër, nëse autorët e një vrasjeje arrestohen, ata përfaqësohen me avokatë të paguar nga shteti, ndërsa familjet e viktimave nuk kanë të njëjtën mbështetje.

Krimi i dhunshëm shpesh perceptohet si një realitet abstrakt, i përkthyer në statistika të thata — derisa të prekë drejtpërdrejt. Në këtë rast, u prekën dy njerëz që i shihja çdo ditë. Nuk dua të bie në ‘depresion’, e di mirë që Nju Jorku ka kaluar periudha shumë më të rrezikshme në vitet 1970 dhe 1980. Krahasuar me atë kohë, sot është një parajsë relative. Jeta ime është normale, nuk ndiej frikë kur dal nga shtëpia dhe udhëtoj shpesh me metronë — edhe pse ajo është bërë skenë e disa krimeve të rënda kohët e fundit. Por, për ironi, pikërisht të dielën në darkë, ndërsa isha duke darkuar me miq italianë që më vizitonin, u përhap lajmi për një të shtënë në Times Square, një nga zonat më të famshme dhe të frekuentuara të qytetit. Për fat të mirë, në atë rast pati vetëm disa të plagosur.

Jam i vetëdijshëm për privilegjin tim. Jetoj në një lagje më pak të prekur nga dhuna sesa shumë të tjera. Zona e Bronx-it ku Adami humbi jetën është shumë më e rrezikshme se Upper West Side ku banoj. Është një realitet i dhimbshëm dhe i pabarabartë, viktimat kryesore të krimit të dhunshëm janë shpesh njerëz të klasës së ulët dhe pakicave etnike. Edhe Adami dhe i ati i tij, Larry, i përkisnin këtyre komuniteteve.

Këtë temë e kam trajtuar edhe në episodin e fundit të emisionit tim televiziv në La7, “Inchieste in movimento”, transmetuar më 17 qershor dhe xhiruar këtu në Nju Jork. Ndër të tjera, vizitova Bronx-in dhe intervistova një udhëheqës të ri të komunitetit latin. Ai fliste pa dorashka për një ndjenjë të përhapur pasigurie, për një polici që shpesh nuk reagon, apo që mbërrin me vonesë në vendin e ngjarjes. Sipas tij, krimet më të rënda kryhen nga një grup i vogël — 600 apo 700 shkelës të përsëritur — të njohur mirë nga policia, por që nuk ndalohen dot për shkak të vendimeve të gjykatave. Ai kritikonte ashpër prokurorët e ashtuquajtur “progresivë”, të cilët, në emër të një drejtësie sociale të idealizuar, lirojnë individë të rrezikshëm, sidomos nëse janë me ngjyrë, duke krijuar kështu më shumë viktima pikërisht brenda këtyre komuniteteve.

Dy prej këtyre prokurorëve — Letitia James dhe Alvin Bragg — janë ndër më të zëshmit në ndjekjen penale të Donald Trump. Por, sipas shumëkujt, ata kanë dhe përgjegjësi morale për valën e dhunës që ka prekur qytetin. Ironikisht, kjo ka ndikuar që Trump të fitojë terren, madje edhe në një bastion demokrat si Nju Jorku. Votat për të janë rritur ndjeshëm në radhët e komuniteteve me ngjyrë, ndërsa elitat e bardha, të pasura dhe të mbrojtura në lagjet më të sigurta, kanë përkrahur në masë kandidatë si Zohran Mamdani, përfaqësues i krahut më radikal të së majtës, i cili premton socializëm urban por shfaq pak interes për çështjen e sigurisë publike.

Argumentet që përdor ky krah janë të njohura, se e djathta po shfrytëzon frikën për përfitime politike dhe se është hipokrite për shkak të mbrojtjes që i bën të drejtës për armëmbajtje. Por këto argumente nuk vlejnë në qytete si Nju Jorku, që ka disa nga ligjet më të rrepta për armët në SHBA — të miratuara, me të drejtë, nga vetë demokratët.

Kjo më çon në atë që po ndodh në një qytet tjetër amerikan të ngjashëm, Uashingtonin. Së fundmi, Trump ka paralajmëruar përdorimin e Gardës Kombëtare dhe agjencive federale për të rikthyer rendin në kryeqytetin federal, i cili po përballet me një valë shqetësuese krimesh të dhunshme. Kryetarja e Bashkisë, Muriel Bowser, e ka quajtur këtë veprim “militarizim” të qytetit — një term me ngarkesë simbolike, që synon të krijojë imazhin e një Trumpi autoritar dhe diktatorial. Por ndërhyrje të tilla kanë precedentë, edhe presidentë si John Kennedy kanë përdorur forcat federale për të garantuar rendin publik.

Statistikat janë alarmante, Uashingtoni ka më shumë vrasje për frymë se qytete si Meksiko apo Bogota. Është qyteti i pestë më vdekjeprurës në SHBA dhe përballet me një shkallë grabitjesh të armatosura trefish më të lartë se mesatarja kombëtare. Politikat lokale kanë dështuar, ligje të buta, tolerancë ndaj përdorimit të drogës dhe një lloj “dekriminalizimi” i vjedhjeve të vogla kanë kontribuar në degradimin e situatës.

Rendi publik është dhe mbetet një prioritet për qytetarët — veçanërisht për ata që nuk kanë luksin të jetojnë në lagje të sigurta. Historia tregon se e majta fiton kur i jep prioritet rendit dhe sigurisë, siç ndodhi me Bill Clinton. Por kur dhuna prek drejtpërdrejt jetën tënde ose të njerëzve të tu, “statistikat” nuk kanë më vlerë. As justifikimet ideologjike.

Top Channel