
Me kodin “N7478D” Boeing 747-8 i shumëdiskutuar, i dhuruar nga Katari qeverisë së Uashingtonit, ka hyrë zyrtarisht në regjistrin e avionëve civilë të Shteteve të Bashkuara më 5 gusht.
Është baza e të dhënave e Administratës Federale të Aviacionit (FAA) që e konfirmon këtë. Në muajt e ardhshëm, pasi të kryhen punimet e përshtatjes në Air Force One presidencial, me një vlerë të llogaritur mbi 400 milionë dollarë, ai do të transportojë Donald Trump-in nëpër botë. Kur të mbarojë mandati, avioni — një katërmotorësh luksoz — do të kalojë në “Bibliotekën Trump” dhe do të përdoret nga biznesmeni për udhëtimet si qytetar privat.
Buletinet zyrtare
Por regjistrimi ngre një pyetje me peshë: kush e zotëron sot, në të vërtetë, avionin që do të transportojë njeriun më të fuqishëm në botë? Baza e të dhënave e FAA nuk i përgjigjet kësaj pyetjeje, përkundrazi, shton dyshimet. “Pronari i regjistruar ka kërkuar të mbajë këto të dhëna konfidenciale në përputhje me Titullin 49 të Kodit të Shteteve të Bashkuara, Seksioni 44114”, lexohet në fletën shoqëruese. Është e njëjta shprehje që përdoret për avionët privatë të miliarderëve.
Avionët institucionalë
Në rubrikën “Type registration” thuhet se Boeing 747-8 i dhuruar nga Doha do të përdoret për misione qeveritare. I njëjti përshkrim që ka, për shembull, edhe për dy avionë të tjerë shtetërorë amerikanë, Boeing 757 të Departamentit të Drejtësisë. Por në këto raste pronari është publik: Qeveria e Shteteve të Bashkuara, me adresë 935 Pennsylvania Avenue NW, Washington DC (ndërtesa “J. Edgar Hoover”, selia qendrore e FBI-së).
Nga avion civil në ushtarak
Dy avionët aktualë “Air Force One” (quhen kështu vetëm kur presidenti është në bord) — Boeing 747-200B, 38-vjeçarë — nuk janë të regjistruar si mjete ajrore civile dhe kanë numrat e regjistrimit 28000 dhe 29000. Në gusht 2017, gjatë mandatit të parë të Trump, Shtëpia e Bardhë porositi dy B747-8 për t’i zëvendësuar. Boeing duhej t’i dorëzonte në 2024, por data u shty fillimisht në 2029 dhe më pas u afrua në 2027.
Anomalia
Por, ndryshe nga avioni (i përdorur) i Katarit, të dy pasuesit e rinj — që sot po përshtaten për t’u kthyer në “fortesa fluturuese” — kanë pronar të njohur: Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara (me regjistrime civile N894BA dhe N895BA para se të marrin numrat ushtarakë kur të nisin fluturimet zyrtare). Kjo anomali rrezikon të rindezë debatin javët e ardhshme për atë që është quajtur “dhurim pa kushte”.
Fluturimi për punimet
Ajo që dihet me siguri është se më 8 gusht Boeing 747-8 i dhuruar nga Katari u transferua nga aeroporti Alliance në Fort Worth, Teksas, në aeroportin Waco James Connall, pranë njërit prej qendrave më të mëdha të punimeve në avionë të L3Harris Technologies, gjigandi amerikan i ngarkuar nga presidenti Trump për ta “forcuar” mjetin fluturues. Në bord do të instalohen sisteme kundër raketave, trupi i avionit do të forcohet kundër dëmeve elektromagnetike dhe linjat e komunikimit do të kriptohen.
Kostot e mirëmbajtjes
Presidenti amerikan ka deklaruar disa herë se dëshiron ta përdorë avionin nga Katari — që në konfigurimin aktual “VIP” ka një vlerë tregu prej rreth 150 milionë dollarësh — si mjet transporti presidencial që nga tremujori i parë i vitit 2026, edhe pse disa ekspertë mendojnë se do të duhet më shumë kohë për të përfunduar punimet e kërkuara. Pa llogaritur kostot e “rikonvertimit”, dokumentet e Pentagonit llogarisin se çdo vit duhen 134 milionë dollarë për të mbajtur në fluturim avionët Air Force One.
Top Channel