
Situatë dramatike nga zjarret paraqitet edhe në Mal të Zi, ku një ushtar humbi jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, si pasojë e përmbysjes së një autocisterne që po përdorej për shuarjen e flakëve në rajonin Kuça, afër Podgoricës.
Ushtria, bashkë me zjarrfikësit dhe policinë, po tentojnë për të dytën ditë me radhë t’i shuajë zjarret që kanë përfshirë zonën rreth Podgoricës, si dhe rajonet mes Budvës dhe Tivarit.
Si pasojë e zjarreve është djegur edhe një shtëpi dhe disa prona. Disa banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në afërsi të kryeqytetit malazez.
Për shkak të tymit dhe ajrit të ndotur, Instituti për Shëndetin Publik u ka rekomanduar qytetarëve që të shmangin daljen në ambiente të jashtme.
Në Mal të Zi është aktiv alarmi i kuq, ndërsa era e madhe është duke vështirësuar fikjen e zjarreve.
Kosova po ashtu po përballet me një situatë të vështirë, ku autoritetet raportojnë për dhjetëra vatra aktive zjarri. Situata më e rënduar paraqitet në Mitrovicë, ku janë djegur edhe disa banesa.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.
Në Maqedoninë e Veriut vijojnë operacionet për shuarjen e zjarreve. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza në mbarë vendin janë 3 zjarre prej të cilave 2 janë aktive, ndërsa 1 është vënë nën kontroll. Ndërkaq në mbarë vendin vazhdon gjendja e emergjencës në mënyrë që të lehtësohet menaxhimi i zjarreve.
Top Channel