
Italia është plotësisht e përafruar me qëndrimin e Bashkimit Evropian, i cili kërkon një vend zyrtar në tryezën e negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Një kërkesë që dje u përsërit edhe nga ministri i Jashtëm Antonio Tajani, gjatë videokonferencës urgjente të organizuar nga Kaja Kallas për të diskutuar samitin e ardhshëm mes Putinit dhe Trumpit në Alaska.
Bashkimi Evropian, theksoi ministri italian, ka vendosur sanksione të forta ndaj Rusisë dhe siguria jonë është në rrezik. Për këtë arsye Roma mbështet përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të arritur një armëpushim. Këto ide Tajani ia theksoi homologëve të tij të 27 vendeve anëtare, në kontakt edhe me Giorgia Melonin, e cila po kalon disa ditë pushimesh në Greqi.
Si për Melonin ashtu edhe për Tajanin, kuadri i pashmangshëm i çdo ballafaqimi është uniteti i BE-së dhe SHBA-ve, një linjë e përbashkët transatlantike, pa të cilën çdo hap përpara drejt zgjidhjes së krizës do të ishte i cunguar dhe jo efektiv. Por jo vetëm kaq — sipas Melonit, çfarëdo drejtimi të marrë dialogu mes Trumpit dhe Putinit, BE-ja duhet të luajë një rol, si në dhënien e garancive pasuese për një paqe të drejtë, ashtu edhe në zëvendësimin gradual, financiar dhe logjistik, të angazhimit amerikan, i cili gjithsesi do të ulet, siç u vendos në samitin e NATO-s në qershor.
Dje Meloni pati një bisedë të re me Trumpin, pas telefonatës së tre ditëve më parë, gjatë së cilës presidenti i Shteteve të Bashkuara kishte testuar gatishmërinë e Italisë për të pritur samitin, i cili megjithatë u zhvendos në Alaska pasi rusët kishin shprehur kundërshtimin e tyre.
Kontaktet mes kryeministres italiane dhe presidentit amerikan mbeten të vazhdueshme dhe të shpeshta në pritje të takimit ballë për ballë të Ferragostës. Meloni gjithmonë ka kërkuar të ketë një rol urë lidhëse mes Shteteve të Bashkuara dhe drejtuesve të BE-së, rol që i është njohur edhe nga Ursula von der Leyen para marrëveshjes për tarifat doganore, dhe tani duket se po ndjek të njëjtën linjë. Në mbledhje, Tajani megjithatë përsëriti se disa nga kërkesat e Moskës duken të papranueshme, si imponimi i gjuhës ruse në territoret e pushtuara. Ai përmendi shembullin e Zaporizhias, duke kërkuar që centrali bërthamor të mbetet në duart e Ukrainës, brenda një zone të çmilitarizuar.
Çdo zgjidhje diplomatike, theksoi ministri, duhet të mbrojë sovranitetin e Ukrainës, integritetin e saj territorial dhe lirinë për të zgjedhur të ardhmen e vet, përfshirë rrugën e saj drejt BE-së.
Në këtë kuadër, Meloni do të marrë pjesë në videokonferencën që do të mbahet nesër mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, ku përveç Trumpit do të marrin pjesë edhe liderët e Finlandës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Polonisë dhe Ukrainës, si dhe drejtuesit e Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe NATO-s. “Kam besim se Trump do të arrijë të bëjë atë që Evropa në këta tre vjet e gjysmë nuk ka arritur ta bëjë. Pra, të ulë në një tryezë të dy palët në konflikt, t’i bindë, nëse jo t’i detyrojë, për të gjetur një marrëveshje”, tha zëvendëskryeministri dhe lideri i Legës, Matteo Salvini.
Top Channel