
Marrëdhënia Vllahoviç-Juventusi vijon të jetë në ditët e saja më të këqija, këtë fillim sezoni asnjë foto, asnjë postim me numrin 9 si mbishkrim, asgjë fare.
Dusan Vllahoviç luajti më pak se gjysmë ore në miqësoren kundër Borussia Dortmund dhe në rrjete sociale nuk la asnjë gjurmë. Në fushë shkaktoi zemërimin e tifozëve, pjesërisht për disa topa të humbur, por sidomos për atë goditje të keqe në fund të ndeshjes, që përfundoi shumë larg portës së mbrojtur nga Kobel.
Ishte si një kapitull i fundit i një historie praktikisht të mbyllur, që mbahet gjallë vetëm nga një kontratë që skadon pas një viti dhe ku serbi duket i vendosur të qëndrojë. “Qëndroj deri në skadim kontrate”, thuhet se ia ka thënë hapur klubit, duke përsëritur se nuk ka ndërmend të largohet këtë verë.
Edhe pse për Igor Tudor është bërë një zgjedhje e dytë dhe rrezikon të jetë madje i treti kur të përfundojë blerja e Randal Kolo Muani. “Nuk bën më pjesë në projekt”, është mesazhi që klubi ia ka përcjellë edhe përmes agjentit të tij, duke e lënë mënjanë dhe duke e shtyrë drejt daljes me ardhjen e Jonathan David.
Vllahoviç megjithatë nuk dorëzohet edhe me koston e një sezoni ku do të qëndrojë më shumë në stol se në fushë, të prishet përfundimisht me një tifozeri që 3 vite e gjysmë më parë e priti si idhull dhe me të cilën ka pasur disa përplasje kohët e fundit dhe të humbasë kombëtaren në vitin e Botërorit.
Një “braccio di ferro” që nuk i bën mirë askujt dhe që bllokon merkaton e Juventusit, i detyruar të shesë para se të investojë. Aq sa klubi po bindet ngadalë për idenë ta mbajë, duke gjeneruar të ardhura nga lojtarë të tjerë.
Sa larg duken kohët kur Vllahoviç betohej për dashuri të përjetshme ndaj “Zonjës së Vjetër”. “Te Juventusi jam i lumtur, tashmë po flasim për rinovim”, kishte deklaruar serbi në një intervistë të gjatë për Gazzetta në dhjetor 2023.
Në stol ishte ende Massimiliano Allegri, trajneri që tani është kthyer te Milani dhe vazhdon t’i bëjë “sy të ëmbël”. Deri tani Vlahovic i ka thënë jo Fenerbahçes së Mourinhos, Arabisë dhe çdo destinacioni tjetër. Nuk kanë mbërritur oferta të mëdha, por ato të pakta që ka pasur nuk i ka gjykuar të denja për të.
Qëllimi i tij është të mos rinovojë, klubi ka provuar t’i ofrojë një zgjatje kontrate me ulje page, por lojtari nuk dëshiron të heqë dorë nga 12 milionë eurot neto që do të marrë në sezonin 2025-26, falë një kontrate me rritje të pagës të nënshkruar në janar 2022 me ish-drejtuesit dhe të largohet si agjent i lirë.
Rreziku është që të ndodhë pikërisht kështu, sepse 12 milionë janë shumë jo vetëm për Juventusin, por edhe për klubet e tjera, sidomos pas një sezoni jo të mirë. Edhe për Milanin, Vllahoviç nuk do të pranonte ulje page, as për Allegrin.
Përjashtohet mundësia që bardhezinjtë të kontribuojnë në pagën e tij për të forcuar një rival direkt, ashtu si edhe ta lënë të largohet për “dy groshë”. Pa një ofertë të përshtatshme, Juventusi do ta mbajë, por për të sezoni do të jetë shumë i vështirë.
Ndërkohë, bardhezinjtë duhet të gjenerojnë të ardhura ndryshe, nga Miretti te Savona, nga Douglas Luiz te Nico Gonzalez e deri te Kelly, ka shumë lojtarë që mund të shiten, por gjithçka është ende e bllokuar dhe kështu “Zonja e Vjetër” nuk mund të investojë në merkato.
Top Channel