U gjet pa ndjenja nga organizatorët në mes të eventit sportiv, ndërron jetë pas 4 ditësh në spital sportisti italian

12/08/2025 11:17

Sportisti italian, Mattia Debertolis ka ndërruar jetë pasi u rrëzua gjatë Lojërave Botërore në Kinë javën e kaluar.

29-vjeçari u gjet pa ndjenja nga organizatorët gjatë një eventi sportiv të premten e kaluar në Chengdu.

Italiani vdiq të martën, katër ditë pasi u gjet pa ndjenja nga organizatorët.

“Pavarësisht se mori kujdes të menjëhershëm mjekësor nga ekspertë në një nga institucionet kryesore mjekësore të Kinës, ai ndërroi jetë”, thanë organizatorët e Lojërave Botërore në një deklaratë.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Orientimit (IOF), Tom Hollowell, tha se “nuk ishte në gjendje të përshkruante në mënyrë adekuate thellësinë e paimagjinueshme të trishtimit në këtë humbje tragjike”.

Shkaku i vdekjes së Debertolis është ende i panjohur.

Lojërat Botërore janë një eveniment i larmishëm sportiv që mbahet çdo katër vjet për sporte që nuk janë të listuara në Lojërat Olimpike.

Debertolis po merrte pjesë në finalen e garës së distancës së mesme për meshkuj, e cila u zhvillua në temperatura mbi 30 gradë, kur ai u rrëzua.

Orientimi është një sport në natyrë në të cilin pjesëmarrësit duhet të lundrojnë midis pikave të kontrollit të pashënuara duke përdorur një hartë.

Ai kombinon aktivitetin fizik me leximin e hartës dhe zgjidhjen e problemeve.

Italiani ishte një nga 12 atletët e listuar si “Nuk e përfunduan garën” në rezultatet zyrtare.

Ai ishte pjesë e ekipit kombëtar italian dhe përfundoi i pesti në finalen e Kupës së Botës 2022.

Debertolis, i cili ishte i kualifikuar si inxhinier civil, banonte në Suedi dhe po studionte për doktoraturë në një universitet në Stokholm.

Organizatorët e Lojërave Botërore thanë se do të “vazhdojnë të mbështesin familjen e Debertolis dhe komunitetin e orientimit në çdo mënyrë të mundshme”.

Top Channel