Shpëtoi tre të aksidentuarit, policit Klajdi Mustaj i dorëzohet Certifikata për Shërbim: Shembull frymëzimi për çdo efektive të Dalluara

12/08/2025 13:11

Punonjësi i Policisë Klajdi Mustaj u vlerësua sot me certifikatën e akorduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për aktin e tij të guximshëm në shpëtimin e tre personave të evakuuar.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm ka vlerësuar aktin e guximshëm të punonjësit të Policisë, akt që mishëron më së miri misionin e Policisë së Shtetit.

Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj, i cili ndërhyri me profesionalizëm dhe vendosmëri për të shpëtuar tre bashkëqytetarë të përfshirë në një aksident rrugor, është një shembull frymëzues për çdo efektiv policie. Guximi, reagimi i shpejtë dhe zemra e madhe që tregoi, janë vlerat që ne duam të shohim te çdo punonjës i Policisë së Shtetit. Në emrin tim dhe të gjithë trupës sonë policore, i shpreh mirënjohjen më të thellë dhe e përgëzoj për këtë akt të lartë human, për t’u dhënë ndihmën e parë, në kushte të vështira, tre shtetasve që u përfshinë në një aksident rrugor. 15-vjeçari që Klajdi mori në duar mes tymit dhe flakëve, për ta shpëtuar, fatkeqësisht humbi jetën në spital, kështu që gjej rastin t’i shpreh familjes, ngushëllimet e mia të sinqerta”, tha Proda.

Punonjësi i Policisë Klajdi Mustaj theksoi ka theksuar se ka bërë detyrën dhe do vijojë ta bëjë sa herë t’i jepet rasti, duke uruar që të tilla raste të mos ndodhin më. Ai ka apeluar për drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mbrojnë jetën.

Ky vlerësim nuk është vetëm një motivim personal, por edhe një mesazh inkurajues që tregon se puna, përkushtimi dhe ndershmëria vlerësohen, dhe do të mbetet për mua një nxitje për të vazhduar të jap më të mirën në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Mbështetja juaj ndaj çdo punonjësi policie që përmbush me ndershmëri, përkushtim, sakrificë dhe humanizëm detyrën në shërbim të qytetarëve dhe atdheut, është më shumë se një certifikatë apo vlerë monetare, është një tregues i qartë që puna e sakrifica vlerësohen.

Ndjej shumë keqardhje që 15-vjeçari, të cilin u përpoqa me gjithë zemër ta shpëtoja, humbi jetën në spital. Shpirti i tij u prehtë në paqe! Sot, kam një mesazh për të gjithë përdoruesit e rrugës, jeta është thesari ynë, mbrojeni atë duke zbatuar ligjshmërinë“, u shpreh Klajdi Mustaj.

Inspektori Klajdi Mustaj shpëtoi tre qytetarë të plagosur gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier. Pak ditë më vonë, njëri prej tyre, 15 vjeç, nuk ia doli t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Top Channel