Sfida e Barcelonës në kampionat do të luhet në SHBA, Real Madrid “shpërthen” kundër La Ligës: E papranueshme, shkelet barazia në garë

12/08/2025 18:25

Real Madrid ka reaguar ashpër ndaj propozimit për zhvillimin e ndeshjes së javës së 17-të të La Ligës midis Villarreal dhe Barcelonës jashtë territorit spanjoll.

Klubi “los blancos” e ka quajtur këtë vendim të njëanshëm dhe të papranueshëm, duke theksuar se nuk pati asnjë njoftim paraprak apo konsultim me klubet pjesëmarrëse.

Sipas deklaratës zyrtare, një lëvizje e tillë shkel parimin e reciprocitetit territorial në kampionate me dy raunde dhe krijon një avantazh të padrejtë për disa ekipe, duke rrezikuar integritetin e garës.

“Çdo ndeshje duhet të luhet në të njëjtat kushte për të gjitha skuadrat. Ndryshimi i këtij rregulli komprometon barazinë, legjitimitetin e rezultateve dhe hap derën për përjashtime të motivuara nga interesa jashtë sportit,” thuhet në deklaratë.

Real Madrid ka ndërmarrë tre hapa konkretë për të bllokuar këtë vendim:

Ka kërkuar nga FIFA të mos autorizojë ndeshjen pa miratimin unanim të të gjitha klubeve të përfshira.

I ka bërë thirrje UEFA-s të riafirmojë kriteret e vitit 2018 që ndalojnë zhvillimin e ndeshjeve zyrtare vendase jashtë shtetit, përveç rasteve të jashtëzakonshme.

I ka kërkuar Këshillit të Lartë të Sportit në Spanjë të mos japë lejen administrative të nevojshme.

Klubi madrilen ka konfirmuar se do të mbrojë integritetin e garave para çdo organi kompetent, duke theksuar se ky vendim mund të shënojë një pikë kthese për futbollin nëse pranohet.

Sfida mes Villarrealit dhe Barcelonës u vendos të luhet në Majemi më 12 dhjetor, duke e bërë ndeshjen e parë të La Ligës që luhet në SHBA.

Top Channel