
Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet “ballë për ballë” me Vladimir Putinin të premten në Alaskë, në takimin e parë mes tyre që prej vitit 2019, sipas deklaratave të zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Leavitt.
Ende nuk është bërë e ditur nëse delegatë të tjerë do të marrin pjesë në këtë samit.
Fokusi kryesor ishte pikërisht ky takim mes dy liderëve, i cili pritet të diskutojë situatën e tensionuar në Ukrainë dhe perspektivat për një marrëveshje paqeje.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përsëritur edhe njëherë që Ukraina nuk do të pranojë t’i dorëzojë territoret e saj, duke iu kundërvënë idesë së një shkëmbimi territorial.
Ai theksoi se Ukraina ende kontrollon pjesë të rajonit të Donbasit, përfshirë provincat e Luhanskut dhe Donetskut, dhe paralajmëroi se tërheqja e trupave ukrainase do t’i jepte Rusisë mundësinë për të sulmuar rajone të tjera në të ardhmen.
Nga ana tjetër, presidenti Trump ka insistuar se çdo marrëveshje paqësore do të përfshijë “disa shkëmbime territoresh”, duke përmendur mundësinë që Rusia të marrë të gjithë rajonin Donbas dhe të mbajë Krimenë.
Takimi në Alaskë pritet të jetë një moment kyç në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Top Channel