
Mijëra qytetarë të Koresë së Veriut dërgohen për të punuar në kushte skllavërie në Rusi.
Sipas BBC, mijëra qytetarë nga Koreja e Veriut po dërgohen në Rusi për të punuar në kushte të ngjashme me skllavërinë, për të mbushur një mungesë të madhe të fuqisë punëtore që është përkeqësuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
Rusia më parë ka kërkuar ndihmën e Phenianit për t’i furnizuar me raketa, artileri dhe ushtarë në luftën e vazhdueshme. Tani, zyrtarë të inteligjencës koreano-jogore thanë se Moska po mbështetet gjithnjë e më shumë në punëtorët e Koresë se Veriut për shkak të mungesës së burrave rusë që janë në luftë, që kanë vdekur apo që janë arratisur drejt vendeve të tjera.
BBC intervistoi gjashtë punëtorë koreano-veriorë që kishin arritur të iknin nga Rusia që nga fillimi i luftës, si edhe zyrtarë qeveritarë, studiues dhe individë që ndihmojnë në shpëtimin e tyre. Të gjitha këto dëshmi përshkruajnë kushte pune “shumë të përbuzshme” dhe një kontroll strikt nga autoritetet koreane për të ndaluar arratisjet.
Njëri prej tyre, i quajtur “Jin”, tregoi se sapo mbërriti në Lindjen e Largët të Rusisë, një agjent sigurie nga Koreja e Veriut e shoqëroi nga aeroporti tek vendi i punës dhe i urdhëroi të mos fliste me askënd e as të mos shikonte rreth e rrotull.
“Bota e jashtme është armiku ynë,” i tha agjenti.
Ai u dërgua menjëherë në ndërtim – ku punonte mbi 18 orë në ditë për ndërtesa të larta. Të gjashtë punëtorët përshkruan ditë punë të tmerrshme: nisnin në orën 06:00 dhe punonin deri në orën 02:00 të mëngjesit, duke pasur vetëm dy ditë pushim në vit.
Një tjetër punëtor, “Tae”, që arriti të ikë vitin e kaluar, tregon se duart i mpiheshin nga lodhja dhe nuk i hapeshin dot në mëngjes. “Disa i zinte gjumi nga lodhja, por mbikëqyrësit i gjenin dhe i rrihnin. Ishte sikur po vdisnim,” thotë ai. Një tjetër i ikur, “Chan”, flet për ndihmën e nevojshme mjekësore që u mohohej – edhe pas rasteve të rënda si rënia nga lartësia.
Profesor Kang Dong-wan nga Universiteti Dong-A në Korenë e Jugut tha: “Kushtet janë vërtetë të tmerrshme. Punëtorët punojnë në errësirë gjatë natës, pa pajisje sigurie… u ndalohet çdo lloj lëvizjeje jashtë vendit të punës.”
Punëtorët jetojnë në kontenierë të pistë, me insekte, ose nëpër ndërtesa të papërfunduara, pa ngrohje, thjesht me çadra për tu mbrojtur nga të ftohtit. Njëri prej tyre, “Nam”, tha se ra nga katër metra dhe u dëmtua në fytyrë, por u ndalua njëkohësisht nga puna dhe i mohohej trajtimi mjekësor.
Në të kaluarën, dhjetëra mijëra koreano-veriorë punonin në Rusi, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme për regjimin e Kim Jong Un. Por me një ndalim të miratuar nga OKB-ja (2019), shumica u kthyen në atdhe. Megjithatë, sipas zyrtarëve koreano-jogorë, vitin e kaluar mbi 10,000 punëtorë u dërguan sërish në Rusi, ndërsa pritet që numri të tejkalojë 50,000 në total këtë vit.
Të dhënat zyrtare ruse tregojnë se më shumë se 13,000 veri-koreanë hynë në vend në 2024, një rritje me 12 herë krahasuar me vitin paraprak. Shumë prej tyre përdorën viza studentore, një mënyrë për të shmangur ndalimin ndërkombëtar, sipas ekspertëve.
Ministri rus Sergei Shoigu pranoi në qershor se 5,000 koreano-veriorë do të dërgoheshin për rindërtim në rajonin Kursk, të marrë nga Ukraina. Zyrtarët e Koresë së jugut thonë se është “shumë e mundshme” që punëtorë të dërgohen edhe në territoret e pushtuara të Ukrainës për projekte rindërtimi. Andrei Lankov, profesor në Universitetin Kookmin, përshkroi shtimin e punëtorëve si një zgjidhje ideale për Rusinë, pasi ata shquhen si punëtorë të lirë, të palodhur dhe që nuk krijojnë probleme.
Top Channel