Nga lufta për mbijetesë tek ëndrrat për Europë/ Stadium modern, pronarë të rinj dhe sulmuesi që dikur kushtonte 100 mln euro! Nis epoka e re për klubin anglez

12/08/2025 19:07

Everton po përgatitet për një sezon që premton ndryshime të mëdha dhe emocione të shumta për tifozët e tij.

Pas dekadash të tëra në stadiumin ikonik “Goodison Park”, klubi i Merseyside do të luajë ndeshjet e tij të shtëpisë në arenën moderne Hill Dickinson Stadium në Bramley-Moore Dock.

Kjo verë po shënon gjithashtu një pikë kthese në merkato. Me pronarët e rinj FriedkinCo, klubi ka nisur të tregojë “muskujt” financiarë, duke ndjekur një strategji më të qartë transferimesh: uljen e moshës mesatare të skuadrës, afrimin e talenteve të reja dhe përforcimin me lojtarë të provuar për një konkurrencë më të fortë në Premier League.

Nën drejtimin e trajnerit David Moyes, Everton ka bërë disa lëvizje të rëndësishme në merkato: ka transferuar sulmuesin Thierno Barry nga Villarreal për 30 milionë euro, ka blerë përfundimisht kartonin e mesfushorit Carlos Alcaraz, ka marrë nga Chelsea mesfushorin Kiernan Dewsbury-Hall dhe ka shfaqur interes për talentin e ri të Southampton-it, Tyler Dibling.

Por transferimi më i bujshëm është ai i Jack Grealish. Ylli i Manchester City-t dhe kombëtares angleze do të luajë te Everton për një sezon në formë huazimi, duke mbajtur fanellën me numrin 18 – një homazh për legjendën Wayne Rooney.

Moyes pritet të mbajë stabilitetin në repartin mbrojtës, me Jordan Pickford në portë, James Tarkowski dhe Jarrad Branthwaite në qendër të mbrojtjes, Vitaliy Mykolenko në të majtë dhe Jake O’Brien në të djathtë, ndërsa veterani Séamus Coleman mbetet një opsion alternativ.

Në mesfushë, Dewsbury-Hall dhe Idrissa Gueye mund të formojnë një dyshe solide, ndërsa përpara tyre mund të veprojnë Grealish, Iliman Ndiaye dhe Dibling, në mbështetje të Barry-t ose Beto-s, pas largimit të Dominic Calvert-Lewin.

Pas disa sezoneve të vështira ku klubi luftoi për mbijetesë, Everton duket i gatshëm të nisë një kapitull të ri – me një stadium modern, lojtarë cilësorë dhe një atmosferë shprese për një të ardhme më të ndritur në Premier League.

Top Channel