
Liverpool duket se do të vazhdojë merkaton e jashtëzakonshme të kësaj vere me afrimin e mbrojtësit qendror të Crystal Palace, Marc Guéhi.
Sipas “The Times”, klubi nga Anfield është gati të bëjë një ofertë që mund të arrijë në total 35 milionë paund (rreth 40.5 milionë euro) për 25-vjeçarin.
Nëse marrëveshja finalizohet, Guéhi do të bëhej mbrojtësi qendror më i shtrenjtë i Liverpool-it që nga transferimi i Virgil Van Dijk nga Southampton për 84.6 milionë euro në janar 2018.
Guéhi ka qenë objekt interesimi edhe më parë. Verën e kaluar, Newcastle thuhet se bëri një ofertë që u refuzua nga Palace, ndërsa Tottenham tentoi ta transferonte në janar. Megjithatë, me kontratën e tij që skadon verën e ardhshme, Crystal Palace është nën presion për ta shitur këtë afat kalimtar dhe Liverpool duket se ka fituar garën.
Pas transferimit nga Chelsea te Palace në verën e vitit 2021 për 23.3 milionë euro, Guéhi është shndërruar në një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Premier League.
Vlera e tij në treg është rritur nga 10 milionë euro në 45 milionë euro në katër vite, duke u bërë lojtari i dytë më i vlefshëm në klubin londinez dhe i 18-ti më i vlefshëm mes anglezëve.
Vetëm shtatë mbrojtës qendrorë në Premier League kanë shënuar rritje më të madhe në këtë periudhë.
Nëse ky transferim realizohet, shpenzimet e Liverpool-it në këtë merkato verore do të arrijnë në 334.2 milionë euro – shifra më e lartë e klubit në një dritare të vetme transferimesh dhe e katërta më e madhe në historinë e futbollit. Më shumë para në një merkato kanë shpenzuar vetëm Paris Saint-Germain (350 milionë euro në verën e 2023), Al-Hilal (353 milionë euro në verën e 2023) dhe Chelsea (464 milionë euro në verën e 2023).
Top Channel