
Ambasadorët e vendeve të QUINT-it, u kanë kërkuar subjekteve politike parlamentare që ta zbatojnë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili dha disa qartësi se si të dilet nga ngërçi juridik dhe politik për konstituimin e Kuvendit.
Megjithë njoftimin e Kushtetueses, nga subjektet politike nuk duket ndonjë lëvizje në drejtim të konstituimit të Kuvendit. Diplomatët perëndimorë u kërkojnë klasës politike kosovare që sa më shpejt të formojnë institucionet e reja të Kosovës. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në një deklaratë për media tha pas njoftimit të Kushtetueses se “Kosova nuk ka më kohë për të humbur”.
“Gjykata Kushtetuese ka folur dhe ka dhënë sqarime të rëndësishme. BE-ja u bën thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i përmbahen këtij vendimi dhe të gjejnë kompromisin dhe shumicën e nevojshme për të ecur me shpejtësi me procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe zëvendëskryetarëve. Nuk ka më kohë për të humbur në një ngërç politik!”, thuhet në reagimin e BE-së.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe ambasada e Gjermanisë në Kosovë, e cila ka vlerësuar se “tani politika duhet të veprojë në përputhje me këtë aktgjykim”.
“Ne e vlerësojmë që Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim procedural. Tani politikanët duhet të veprojnë në përputhje me të, në mënyrë që kosovarët më në fund të marrin parlamentin për të cilin kanë votuar para gjashtë muajsh. Ne presim një zgjidhje të realizueshme brenda afatit dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë të veprojnë drejt një kompromisi”, shprehen nga ambasada gjermane në Prishtinë.
Edhe ambasada amerikane në Prishtinë, duke cituar të ngarkuarën me Punë në këtë ambasadë, Anu Prattipati, e bën thirrje për “krijimin sa më të shpejt të institucioneve të Kosovës”.
“Formimi i qeverisë pas zgjedhjeve është funksion themelor demokratik, dhe ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton me mundësi të humbura për Kosovën. Administrata Trump kërkon aleatë të fortë me të cilët mund të avancojmë prioritetet tona; një vend pa institucione thelbësore dhe një rrugë e pasigurt përpara për t’i krijuar ato është një partner në të cilin nuk mund të mbështetemi gjithmonë plotësisht. Kompanitë amerikane kërkojnë qeveri stabile dhe partnerë të besueshëm kur shqyrtojnë se ku të investojnë. Paaftësia e Kosovës për të formuar institucione mund të shkaktojë që kompanitë të bëjnë biznes diku tjetër”, ka thënë diplomatja amerikane Prattipati.
Gjykata Kushtetuese të premten e kaluar me udhëzime më të qarta urdhëroi përsëri deputetët e Kuvendit të Kosovës ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Në njoftimin e Gjykatës, deputetët urdhërohen ta konstituojnë Kuvendin brenda një afati 30-ditor dhe ta zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimit të hapur. GJK pohon se një kandidat mund të nxirret në votim jo më shumë se tri herë. Por, ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, akoma nuk është publikuar i plotë në gazetën zyrtare të Gjykatës, që pastaj të marrë fuqi ekzekutive. Tash për tash nuk dihet kur mund të thirret seanca konstituive.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për aktgjykimin, u mirëprit nga partitë e deritashme opozitare, por u kritikua ashpër nga partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje.
Ky subjekt politik e quajti vendimin arbitrar, që “përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues dhe se është në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”.
Top Channel