
Autoritetet kineze u kanë kërkuar kompanive vendase të shmangin përdorimin e procesorëve H20 të prodhuar nga Nvidia, veçanërisht për projekte që lidhen me qeverinë, raportoi sot Bloomberg News, duke cituar disa burime.
Sipas raportit, autoritetet kanë shpërndarë njoftime zyrtare në disa kompani, duke i privuar nga përdorimi i gjysmëpërçuesve të niveleve më të ulëta të avancimit, me një theks të veçantë në ndalimin e përdorimit të çipit H20 për punë që lidhet me ndërmarrje shtetërore, institucione qeveritare apo sektorin e sigurisë kombëtare.
Reuters nuk arriti të verifikojë menjëherë raportin në mënyrë të pavarur, ndërsa Nvidia nuk iu përgjigj një kërkese për koment jashtë orarit të punës.
Çështjet e sigurisë dhe reagimi i Nvidia-s
Në muajin korrik, Nvidia deklaroi se produktet e saj nuk përmbajnë “dyer të pasme” që mund të lejojnë akses ose kontroll të largët, duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga Kina mbi sigurinë e çipit të inteligjencës artificiale H20.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të hënën se mund të lejojë Nvidia-n të shesë në Kinë versione të reduktuara të procesorëve të saj më të avancuar të gjeneratës së re, të bazuar në arkitekturën Blackwell, pavarësisht shqetësimeve se Kina mund të përdorë teknologjinë e inteligjencës artificiale amerikane për qëllime ushtarake.
Aktualisht, çipi më i avancuar që Nvidia lejohet të eksportojë në Kinë është pikërisht H20, i ndërtuar mbi platformën më të vjetër Hopper. Administrata Trump e miratoi eksportin e këtij çipi muajin e kaluar, si pjesë e përpjekjeve për të balancuar interesat tregtare dhe ato të sigurisë kombëtare.
Marrëveshje me Nvidia dhe AMD
Javën e kaluar, administrata Trump konfirmoi gjithashtu një marrëveshje të paprecedentë me Nvidia dhe AMD, përmes së cilës qeveria amerikane do të përfitojë 15% të të ardhurave nga shitjet e disa çipave të përparuar në tregun kinez.
Top Channel