Izraeli e quajti gazetarin e vrarë si pjesë të Hamasit, reagon Al Jazeera: Gënjeshtër, duan të heshtin një prej zërave të fundit brenda Gazës

12/08/2025 13:41

Lajmi i fundit nga lufta që nuk përfundon tregonte për një bombardim, dhe ishte një raketë që vrau Anas al Sharif nga Al Jazeera së bashku me pesë kolegë, katër prej tyre të së njëjtës media.

Aviacioni izraelit goditi çadrën ku ata jetonin dhe punonin, afër spitalit Al Shifa, qendra që përmbledh tmerrin e këtyre njëzet e dy muajve dhe sfondin e transmetimeve të tyre direkte nga media e pronarit të Katarit.

Tani zëdhënësit e ushtrisë akuzojnë Anas, 28 vjeç, se ka qenë kreu i një qelize të Hamasit, se ka koordinuar sulme ndaj trupave të tyre, dhe sjellin një mesazh entuziast që ai thuhet se ka shkruar më 7 tetor 2023 gjatë sulmit të terroristëve palestinezë në fshatrat në jug të Izraelit, ku u masakruan 1200 veta.

Drejtorët e kanalit satelitor, që është ndaluar nga qeveria e Benjamin Netanjahut, mohojnë akuzat dhe denoncojnë vrasjen: “Kërkuan të heshtin një nga zërat e fundit nga brenda Gazës”.

Pak ditë më parë Anas shpërtheu në lot gjatë një raportimi kur përshkruante fëmijët që vdisnin nga kequshqyerja, dhe që nga ai moment filloi një fushatë në rrjetet sociale; Kombet e Bashkuara kishin paralajmëruar për rrezikun ndaj tij.

Qeveria britanike kërkon “një hetim të pavarur” për akuzat e izraelitëve ndaj Al Sharif, ndërsa zëdhënësja e Keir Starmer shfaqej skeptike për bazën e tyre: «Jemi shumë të shqetësuar për sulmet e përsëritura ndaj reporterëve në Rripin e Gazës». Komiteti për mbrojtjen e gazetarëve e konsideron këtë konflikt si më vdekjeprurin për gazetarët: 192 janë vrarë që prej fillimit të ofensivës pas sulmeve të vjeshtës së kaluar, të gjithë palestinezë.

Izraelitët nuk lejojnë mediat ndërkombëtare të hyjnë në Rrip në mënyrë të pavarur; e vetmja leje janë hyrjet sporadike, të kufizuara dhe për pak orë, me konvojtë ushtarake.

Benjamin Netanjahu, kryeministri izraelit, deklaroi në një ceremoni se «Izraeli po afrohet në fund të fushatës ushtarake», ndërsa artileria dhe aviacioni kanë intensifikuar bombardimet në zonat përreth qytetit të Gazës. Në lagjen Zeitoun u vranë gjashtë fëmijë në një ish-shkollë të Kombeve të Bashkuara plot refugjatë; zëdhënësit e ushtrisë thonë se kanë goditur një bazë të fundamentalistëve.

Top Channel