Çështja Epstein, gjykata refuzon kërkesën për publikimin e dokumenteve mbi Maxwellin

12/08/2025 09:38

Një gjyqtar federal amerikan hodhi poshtë të hënën një kërkesë të Departamentit të Drejtësisë për të publikuar dokumente nga çështja penale kundër Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja prej vitesh e financierit të ndjerë dhe trafikantit të seksit, Jeffrey Epstein.

Sipas gjyqtarit, dokumentet nuk përmbajnë informacion të ri me rëndësi publike. Bëhet fjalë për deklarata të dëshmitarëve të dhënë para jurisë së madhe, gjatë gjyqit në të cilin znj. Maxwell u shpall fajtore në vitin 2022, për rekrutimin dhe shfrytëzimin seksual të vajzave të mitura në emër të Epstein.

Në vendimin e tij, gjyqtari i Nju Jorkut, Paul Engelmayer, theksoi se deklasifikimi i dokumenteve “nuk ofron ndonjë informacion të ri domethënës”.

“Këto dokumente nuk përmendin apo identifikojnë asnjë person tjetër përveç Epstein dhe Maxwell që ka pasur marrëdhënie seksuale me të mitura. Ato nuk përmbajnë as emra klientësh të mundshëm të rrjetit të tyre,” deklaroi ai.

Administrata e Presidentit amerikan është përballur me presion të shtuar nga një pjesë e elektoratit të tij, që kërkon më shumë transparencë lidhur me rastin Epstein — një figurë qëndrore në shumë teori konspirative dhe debat publik, pasi u gjet i varur në burg në vitin 2019, pak para se të niste gjyqi ndaj tij për një seri krimesh seksuale.

Për muaj me radhë, presidenti kishte premtuar zbulime të rëndësishme mbi këtë çështje. Megjithatë, kur administrata njoftoi se nuk ishte gjetur asnjë provë e re që të justifikonte publikimin e mëtejshëm të dokumenteve, zhgënjimi i mbështetësve të tij u rrit ndjeshëm, duke ndezur sërish retorikën brenda lëvizjes MAGA.

Hetime të mëtejshme
Në këtë kuadër, Departamenti i Drejtësisë kishte kërkuar heqjen e sekretit mbi provat e paraqitura para jurisë së madhe. Një gjyqtar tjetër pritet të shqyrtojë një kërkesë të ngjashme, që ka të bëjë me dëshminë e paraqitur në hetimet e zhvilluara rreth vetë Jeffrey Epstein.

Ghislaine Maxwell, tashmë 63 vjeçe, po vuan një dënim me 20 vjet burg. Ajo është transferuar kohët e fundit në një burg me kushte më të lehta sigurie.

Ndërkohë, Todd Blunts, zëvendësdrejtor i Departamentit të Drejtësisë dhe ish-avokat personal i Donald Trump, ka marrë pjesë në seanca të gjata marrjeje në pyetje të ish-bashkëpunëtorëve të Epstein. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik asnjë informacion në lidhje me atë që është zbuluar në këto seanca.

Top Channel