
Temperaturat e larta në shumë zona, të ndihmuara edhe nga pakujdesia njerëzore, kanë bërë që vendi të mos marrë dot frymë nga zjarret. Në të gjithë territorin janë ende 14 vatra aktive.
Situata më e rëndë vijon të jetë në Finiq, ku për ditë me radhë zjarri kalon nga njëri fshat në tjetrin. Në fshatin Leshnicë e Poshtme të Finiqit u dogjën disa banesa.
Momentalisht zjarri ka kaluar në fshatin Kranë, të njësisë administrative Mesopotam.
Ndërkohë, një tjetër vatër e rrezikshme është ajo në Tepelenë, ku një vatër zjarri që nisi në fshatin Kodër po i afrohet fshatit Lekël, duke rrezikuar edhe pyllin e Malit të Golikut, ku ka stane me mijëra bagëti. Në vendngjarje kanë ardhur zjarrfikësja, një helikopter i forcave të armatosura, por edhe efektivë të ushtrisë.
Për t’ju ardhur në ndihmë forcave tona të kërkim-shpëtimit kanë ardhur dy helikopterë Black Hawk që i përkasin Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Dy helikopterët kanë mbërritur sot në Bazën Ajrore të Kuçovës për t’u angazhuar në operacionet për fikjen e zjarreve në vend. Në Gramsh, në Sojnik, u dërguan helikopterë çekë dhe sllovakë. Ndërkohë, për neutralizimin dhe shuarjen e flakëve në Synej të Rrogozhinës po punon që prej mëngjesit të sotëm një avion ‘Canadair’ nga Kroacia.
Mëngjesin e sotëm u arrit të shuhet zjarri i frikshëm i një nate më parë në Poliçan. Flakët u përhapën menjëherë dhe për pasojë u evakuuan 6 banesa dhe një azil për të moshuar në Poliçan, por rreth mëngjesit forcat e shumta zjarrfikëse mundën ta shuajnë.
Top Channel