
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se gjatë takimit të tij me Presidentin rus Vladimir Putin të premten, do të përpiqet që një pjesë e territorit të pushtuar nga Rusia t’i kthehet Ukrainës.
“Rusia ka pushtuar një pjesë të madhe të Ukrainës. Ata kanë marrë territore kryesore. Do të përpiqemi t’i rikthejmë Ukrainës një pjesë të atij territori,” u shpreh Trump në një konferencë për shtyp.
Ai tha se bisedimet në Alaska do të jenë një “takim ndjesor”, me synimin për t’i bërë presion Putinit që të ndalë luftën. Sipas Trump, mund të ketë “shkëmbime ose ndryshime territoresh”.
Nuk është hera e parë që Trump përdor shprehjen “shkëmbim territoresh”, megjithëse mbetet e paqartë se cilin territor Rusia mund t’ia dorëzojë Ukrainës, pasi Kievi nuk ka shprehur ndonjëherë pretendime për tokë brenda territorit rus.
Trump shtoi se nëse Putin propozon një “marrëveshje të drejtë”, ai do t’i informojë liderët evropianë, por fillimisht do të flasë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “nga respekti”.
“Do ta marr në telefon i pari… do ta marr pas takimit, dhe ndoshta do t’i them ‘shumë fat, vazhdo luftën’, ose ndoshta ‘mund të arrijmë një marrëveshje’,” tha ai.
Megjithëse tha se ka marrëdhënie të mira me Zelenskyn, Trump shtoi se “nuk pajtohet aspak me atë që ai ka bërë”. Më parë, Trump ka fajësuar Zelenskyn për nisjen e luftës në Ukrainë, e cila shpërtheu pas pushtimit të plotë nga Rusia në shkurt 2022.
Takimi me Putinin u njoftua nga Trump të premten e kaluar – në ditën e afatit që ai kishte vendosur për Rusinë që të pranojë një armëpushim, përndryshe do të përballet me sanksione të reja nga SHBA.
Në reagim ndaj samitit në Alaska, Presidenti Zelensky tha se çdo marrëveshje që bëhet pa përfshirjen e Ukrainës është “një vendim i vdekur”.
Top Channel