Refuzimi i gjyqtarit Llaban, Haxhiu: Dyshohet si agjent serb i BIA-s!

11/08/2025 14:47

Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, sqaroi arsyet përse shihet me dyshim gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban.

Haxhiu pohoi për mediat në Prishtinë se mendohet që ai mund të jetë “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”. Informacionet, sipas ministres, bazohen në të dhënat e përftuara nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Serbia ka përdorur historikisht dhe përdorë edhe sot agjenturën me qëllim që të shtrij ndikimin në çdo vend fqinjës”.

Sipas Haxhiut, BIA serbe e “komprementoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim në Serbi në vitin 2011. “Mënyra se si ai u largua nga Serbia është enigmë, por dihet se Serbia e ka ende aktiv fletarrestimin për Llabanin”, ishte komenti i saj.

Më tej, shtoi me bindje se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku humbi jetën një efektiv i saj si dhe tre nga sulmuesit.

“Falë këtyre marrëdhënieve, ai ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve”, pohoi Haxhiu, që e cilësoi gjyqtarin si “një kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”.

Top Channel