Pesë gazetarë të Al Jazeera të vrarë në Gaza, OKB dënon sulmin: Shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar

11/08/2025 20:43

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dënoi ashpër një sulm ajror izraelit në Gaza, që vrau pesë gazetarë të rrjetit Al Jazeera dhe një gazetar tjetër të pavarur, duke e cilësuar atë si një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.

Al Jazeera konfirmoi se ndër të vrarët ishin korrespondenti Anas al-Sharif, Mohammed Qreiqeh dhe kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa. Mohammad al-Khaldi, një tjetër gazetar, u konfirmua i vdekur nga mjekët në spitalin al-Shifa.

Izraeli pranoi se kishte shënjestruar Anas al-Sharif, duke e akuzuar për përfshirje në Hamas, por pa ofruar prova të besueshme. BBC raportoi se nuk mund të verifikonte pavarësisht pretendimeve izraelite, ndërsa në të kaluarën Sharif ishte shfaqur duke kritikuar Hamasin në rrjetet sociale.

Grupet për të drejtat e gazetarëve, përfshirë Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) dhe Reporterët pa Kufij, dënuan vrasjet, duke akuzuar Izraelin për një model të përsëritur të akuzimit të gazetarëve si militantë pa prova.

Zëdhënësi i kryeministrit britanik Sir Keir Starmer u shpreh “thellësisht i shqetësuar” dhe kërkoi një hetim të pavarur. Ndërkohë, Shoqata e Shtypit të Huaj deklaroi se sulmet e synuara ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe theksoi mungesën e llogaridhënies nga autoritetet izraelite.

Sipas CPJ, 186 gazetarë janë vrarë që nga tetori 2023, kur filloi ofensiva izraelite pas sulmit të Hamasit që la 1,200 të vdekur dhe 251 të rrëmbyer në Izraelin jugor

Top Channel