Ngjarja e pazakontë në Detin e Veriut! Kandilat e detit ‘pushtojnë’ centralin më të madh bërthamor në Francë, alarmohet industria energjetike

11/08/2025 15:56

Një prej centraleve më të mëdha bërthamore në Francë, ai i Gravelines në veri të vendit, është detyruar të ndalojë plotësisht prodhimin pas një ngjarjeje të pazakontë: një tufë masive kandilësh deti ka bllokuar filtrat e ujit ftohës.

Sipas operatorit shtetëror EDF, incidenti ndodhi mbrëmjen e së dielës, kur filtrat e stacioneve të pompimit që furnizojnë me ujë të ftohtë nga kanali i lidhur me Detin e Veriut u mbushën plot nga kandilat.

Si pasojë, reaktorët 2, 3 dhe 4 u ndalën automatikisht, ndërsa pak më vonë u fik edhe reaktori 6. Dy reaktorët e mbetur janë aktualisht jashtë shërbimi për mirëmbajtje të planifikuar, shkruan Guardian.

Centrali ndodhet në bregdetin francez, midis qyteteve Calais dhe Dunkirk, dhe përbën një pjesë të rëndësishme të prodhimit të energjisë elektrike në vend. EDF theksoi se ngjarja nuk ka pasur ndikim në sigurinë e pajisjeve, të stafit apo të mjedisit.

Ekspertët thonë se disa specie kandilësh janë të zakonshme në Detin e Veriut dhe shfaqen më shpesh pranë bregut gjatë verës, kur uji është më i ngrohtë. Por një tufë kaq e madhe, dhe që të ndërpresë një central bërthamor, mbetet një fenomen i rrallë dhe i paparashikueshëm.

Top Channel