
Manchester City po konsideron transferimin e sulmuesit të Real Madridit, Rodrygo, sipas raporteve të fundit.
“Citizens” pritet të humbasin disa lojtarë sulmues para mbylljes së merkatos muajin e ardhshëm. Jack Grealish është pranë një huazimi te Evertoni, ndërsa James McAtee po përfundon një transferim prej 20 milionë paundësh te Nottingham Forest, pas suksesit të tij si kapiten i Anglisë U21 në Kampionatin Evropian.
Me largimin e dy lojtarëve dhe mundësinë që edhe Savinho të ndahet nga skuadra, trajneri Pep Guardiola po kërkon opsione të reja për sulmin. Sipas ekspertit të merkatos Fabrizio Romano, Rodrygo është një nga objektivat e Manchester Cityt.
Real Madrid do të lejojë largimin e 24-vjeçarit nga Santiago Bernabeu në javët në vijim, nëse ai dëshiron të largohet, por ka vendosur një çmim rreth 86.6 milionë paund.
City e sheh Rodrygon si një “target ëndrrash” dhe Guardiola është një fans i madh i tij. Arsenal gjithashtu ka shfaqur interes për lojtarin këtë verë, ndërsa Tottenham dhe Liverpool janë ndër klubet e tjera të lidhura me sulmuesin.
Në merkato, Manchester City ka shpenzuar rreth 150 milionë paund deri tani, duke përfshirë blerjet e Tijjani Reijnders, Rayan Ait-Nouri, Rayan Cherki, dhe Marcus Bettinelli para fillimit të Kupës së Botës të Klubeve në qershor. James Trafford dhe talenti i ri Sverre Nypan janë bashkuar gjithashtu me klubin.
Megjithatë, City rrezikon të humbasë edhe sulmuesin 21-vjeçar Savinho, për të cilin Tottenham ka bërë një ofertë prej rreth 50 milionë paundësh. Manchester City është i prirur të refuzojë këtë ofertë dhe do të konsiderojë vetëm oferta shumë më të larta për brazilianin.
Top Channel