
Dmitry Suslov, zëvendësdrejtor i Qendrës për Studime Evropiane dhe Ndërkombëtare në Shkollën e Lartë të Ekonomisë dhe këshilltar i besuar i politikës së jashtme të Kremlinit, ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin po i ofron Donald Trump-it një mundësi të favorshme për të arritur një marrëveshje mbi Ukrainën në samitin e ardhshëm në Alaska.
Sipas Suslov, ekzistojnë dy skenarë kryesorë që mund të dalin nga takimi. I pari, miratimi i një plani dypalësh midis SHBA-së dhe Rusisë për një armëpushim, pa përfshirjen e Ukrainës dhe Evropës në negociata.
Ky plan mund të përfshijë tërheqjen e forcave ukrainase nga zonat e Donbasit ku ende janë të pranishme dhe tërheqjen e trupave ruse nga disa rajone të tjera, ndërsa vijat e frontit do të mbeteshin të pandryshuara në pjesët e tjera të territorit.
Një element kyç i marrëveshjes do të ishte angazhimi i Ukrainës për të mos iu bashkuar NATO-s, si dhe hapa drejt demilitarizimit dhe reformës kushtetuese në drejtim federal.
Skenari i dytë, sipas Suslov, do të ndodhte nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, me mbështetjen e evropianëve, refuzon propozimin. Në këtë rast, Trump mund të ndërpresë ndihmën ushtarake për Kievin dhe të ndalojë furnizimin e armëve nga vendet evropiane, duke përshpejtuar, sipas tij, humbjen e Ukrainës.
Suslov thekson se Trump ka një arsye shtesë për ta pranuar propozimin e Putinit: ai ndodhet në një situatë të ndërlikuar pas kërkesës drejtuar Kinës, Indisë dhe Brazilit për të ndalur importin e naftës ruse, gjë që këto vende e kanë refuzuar. Një marrëveshje për armëpushim do ta ndihmonte atë të shmangte një krizë të madhe tregtare dhe diplomatike me vendet kryesore të BRICS.
Vendndodhja e samitit – Alaska – ka gjithashtu një simbolikë të fortë, pasi përfaqëson një terren ekskluzivisht ruso-amerikan, larg Evropës, por afër Rusisë, duke nënvizuar natyrën bilaterale të bisedimeve.
Përveç Ukrainës, pritet që në samit të diskutohet edhe për Arktikun, një rajon strategjik ku interesat ushtarake dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve po rriten.
Ky samit do të shënojë gjithashtu takimin e parë të plotë Rusi–SHBA në tokën amerikane pas 15 vitesh, duke sinjalizuar, sipas Suslov, një vullnet të ndërsjellë për të kthyer faqen në marrëdhëniet mes dy fuqive.
Top Channel