
Një burrë 57-vjeçar me origjinë kineze është arrestuar në Boltiere, provinca e Bergamos, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Republika Popullore e Kinës.
Ai akuzohet për vrasjen me thikë të një fqinji në vitin 1995, në lagjen Goacheng, si dhe për plagosjen e rëndë të vëllait të viktimës.
Sipas autoriteteve kineze, krimi ndodhi pas një konflikti personal, kur 57-vjeçari dyshohet se goditi disa herë me thikë fqinjën e tij, duke e vrarë në vend, dhe më pas sulmoi edhe të vëllanë e tij. Ngjarja shkaktoi tronditje të madhe në komunitet, duke çuar në lëshimin e një urdhër-arresti për vrasje të paqëllimshme.
Pas krimit, i dyshuari u arratis nga Kina dhe arriti në Itali në vitin 2002, ku jetoi me identitet të rremë. Ai punonte në shpërndarjen e ushqimeve dhe kishte ndërtuar një jetë të qetë mes Milanos dhe Bergamos, duke iu shmangur autoriteteve për gati tri dekada.
Arrestimi u krye nga Skuadra Fluturuese e Milanos, në bashkëpunim me policinë e Bergamos, teksa burri po shpërndante ushqime me furgon. Pas identifikimit, ai u dërgua në burgun e Bergamos dhe po pret vendimin e Gjykatës së Apelit për procedurën e ekstradimit.
Avokati i tij ka deklaruar se do të kundërshtojë dorëzimin në Kinë, ndërsa seanca e parë gjyqësore është planifikuar në muajt e ardhshëm. Arrestimi i tij shënon fundin e një arratisjeje 30-vjeçare.
Top Channel