
Një vatër zjarri me përmasa të mëdha është shfaqur në orët e vona të së dielës në afërsi të fshatit Sojnik, në Njësinë Administrative Kukur, pjesë e bashkisë Gramsh.
Sipas banorëve të zonës, zjarri ka përfshirë një masiv pyjor të dendur, ku ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është pothuajse e pamundur për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor.
Zjarri vijon të përhapet me shpejtësi për shkak të erërave dhe thatësirës që ka përfshirë rajonin në ditët e fundit. Autoritetet lokale janë në dijeni të situatës dhe kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga banorët, ndërsa pritet ndërhyrja nga ajri.
Ngjarja ka ngritur shqetësim të madh mes banorëve të fshatit Sojnik dhe zonave përreth, ndërsa rreziku për përhapje të mëtejshme drejt zonave të banuara mbetet i lartë nëse zjarri nuk vihet nën kontroll në kohë.
Top Channel