
Mefail Shkodra, që akuzohet për vrasjen e trefishtë në Gjilan dhe që është dënuar me herët për fajde, nuk hezitonte të shfaqte jetën luksoze në rrjetet sociale.
Në profilin e tij në “Instagram”, Shkodra ka ndarë foto me makina si “Range Rover” dhe “BMW X 5”.
Po ashtu, në postime, ai del krah politikanëve të lartë në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama apo kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Shkodra shfaqej krenar për arritjet e tij dhe këtë e tregojnë statuse si “nëse ndalesh sa herë që një qen leh, nuk ke për ta mbaruar kurrë rrugën tënde” apo “njerëzit e fortë rrallë kanë një të kaluar të lehtë”.
Në qershor të vitit të kaluar, ai u arrestua bashkë me të birin, nën dyshime se jepte para me fajde dhe më pas kërcënonte e shantazhonte viktimat.
“Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro“, thuhej në njoftimin e 21.06.2024 të Policisë së Kosovës, që publikoi një vit më parë edhe videon e arrestimit, ku Shkodra u kap mat në banesë, aty ku iu gjetën mijëra euro dhe armë zjarri.
Pas katër muajsh paraburgim, ai u lirua në tetor 2024. Megjithatë, Mefail Shkodra është person i njohur për drejtësinë. Ndaj tij ka disa procedime penale, përfshirë pesë raste për veprën penale të sulmit dy raste për prishjen e rendit dhe qetësisë, tri raste të veprës penale të fajdes, nmjë rast për veprën e “mashtrimit”, kërcënim në tre raste të tjera, shtantazh në një rast si dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Mefail Shkodra akuzohet se është autori i vrasjes së tre personave mesditën e sotme në Gjilan. Në kërkim u shpallën edhe djemtë e tij, Engjull dhe Edonis Shkodra, 22 dhe 25 vjeç, që dyshohen si bashkëpunëtorë në krim. Një tjetër i dyshuar u arrestua në vendngjarje.
Pasi hapi zjarr, ata dyshohet se lanë të vdekur një burrë, së bashku me të birin dhe dhëndrin, ndërsa plagosën një tjetër. Paratë më fajde dyshohet se shkaktuan përplasjen, megjithatë hetimet për ngjarjen vijojnë.
Top Channel