
Presidentja e Kosovës ka shprehur keqardhje për humbjen e tre jetëve në Gjilan dhe përcolli ngushëllime për familjet e viktimave.
Ajo u bëri thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që autorët të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore.
Presidentja e cilësoi keqardhje faktin që vitin e kaluar autorët u lanë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër në paraburgim, pavarësisht veprave të rënda për të cilat akuzoheshin.
Ajo komentoi edhe fotografitë e autorit të krimit të bëra në ambiente publike me figura të ndryshme të politikës, përfshirë atë vetë. Presidentja sqaroi se këto fotografi janë realizuar gjatë një aktiviteti festiv të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, personaliteteve politike dhe qytetarëve.
“Është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike. Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë.
Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse “shoqërim” janë asgjë tjetër pos shpifje”, shkruan Presidentja e Kosovës.
Top Channel