Rekord vizitash në Butrint! Në shtatë muaj, 150 mijë vizitorë në parkun më të famshëm arkeologjik të Shqipërisë

10/08/2025 13:39

Parku Kombëtar i Butrintit ka shënuar një rekord të ri vizitueshmërie për vitin 2025.

Vetëm gjatë muajit korrik parku është vizituar nga 44,555 vizitorë, duke e çuar totalin e 7 mujorit në  mbi 150,000 vizitorë. Sipas të dhënave të siguruara nga drejtoria e parkut, kjo përfaqëson një rritje me 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.Drejtoresha e parkut, Jorida Muho, konfirmon gjithashtu se të ardhurat kanë pësuar një rritje të ndjeshme.

“Në korrik të këtij viti kemi arkëtuar 165% më shumë të ardhura sesa në korrik të vitit 2024, për një total prej 1.5 milionë eurosh.”

Fundjavat janë ditët më të ngarkuara për parkun, me radhë të gjata në hyrje. Guidat e parkut vërejnë se përveç vizitorëve nga vendi, numrin më të madh gjatë korrikut e kanë mbajtur turistët polakë. Klaudia Broda, udhërrëfyese me origjinë polake prej 8 vitesh sjell turistë në Butrint.

“Butrinti mbetet një magji jo vetëm për mua, por për të gjithë bashkëkombasit e mi, që kërkojnë të mësojnë diçka më shumë përtej guidës klasike.Por do t’ju them se ishte vërtet një surprizë për mua sot, pasi më kërkuan të paguaj biletën 10 euro, ndryshe nga çfarë ndodh kudo në Europë, ku udhëheqësi i guidës është falas.”

Mattia Esposito përfaqëson një grup rotarianësh italianë që sapo kanë themeluar klubin e tyre në Sarandë.

“Ka qenë një fundjavë shumë e rëndësishme për ne të Rotary. U pasuruam edhe shumë me vizitën në këtë Park Arkeologjik, pasuri botërore. Tani po mendoj se ‘Butrinti’ është emri i duhur që i vendosëm edhe Rotary-t të Sarandës, pasi Butrinti është një pasaportë ndërkombëtare.”

Për muajin korrik, vëmendje të veçantë ka marrë hapja për publikun e dy mozaikëve ai i Termës Romake dhe mozaiku i Gjimnazit të cilët do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 15 gusht. Butrinti është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1992. Parku përfshin një zonë me monumente si Teatri, Bazilika paleokristiane, Tempulli i Asklepit dhe Porta e Liqenit.

Top Channel