Kthehen në Tokë astronautët, qëndruan pesë muaj në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar

10/08/2025 14:03

Pas gati pesë muajsh në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, një ekuipazh ndërkombëtar prej katër astronautësh ka nisur zbritjen drejt Tokës në një kapsulë të kompanisë SpaceX.

Astronautet amerikane Anne McClain dhe Nichole Ayers, japonezi Takuya Onishi dhe kozmonauti rus Kirill Peskov pritet të kalojnë mbi 17 orë në kapsulë përpara se të ulen në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të Kalifornisë.

Kthimi i tyre shënon përfundimin e misionit të 10-të të rotacionit të ekuipazheve në kuadër të Programit Komercial të Ekuipazheve të NASA-s, i krijuar për të pasuar epokën e anijes hapësinore duke bashkëpunuar me industrinë private.

Pas uljes në det, kapsula do të rikuperohet duke i mundësuar astronautëve të marrin frymë ajrin e Tokës për herë të parë pas muajsh. Gjatë misionit, ekuipazhi, i njohur si “Crew-10”, zhvilloi eksperimente të shumta shkencore, përfshirë studimin e rritjes së bimëve dhe reagimit të qelizave ndaj gravitetit.

Ndërkohë, javën e kaluar në ISS mbërritën astronautët amerikanë Zena Cardman dhe Mike Fincke, japonezi Kimiya Yui dhe kozmonauti rus Oleg Platonov për një mision gjashtëmujor.

 

Top Channel