
Bernard Berisha rikthehet në futbollin shqiptar pas afro 1 dekade.
Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, që shkëlqeu me Besën e Kavajës dhe Skënderbeun, është transferuar së fundmi te Dinamo dhe do të jetë ai zëvendësuesi i Baton Zabërgjes te klubi kryeqytetas.
Berisha ka nënshkruar kontratë 2-vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. 33-vjeçari ritakohet me trajnerin më të suksesshëm shqiptar Ilir Daja, me të cilin ka punuar te Skënderbeu, duke luajtur edhe në grupet e Europa League. Gjatë karrierës së tij Berisha ka fituar 3 trofe në elitën e futbollit shqiptar 2 kampionate dhe 1 Superkupë, me fanellën e Skënderbeut.
Prej vitit 2016, sulmuesi shqiptar i Kosovës, ka qenë pjesë e futbollit elitar rus, ku është aktivizuar me Anzhin, Terek Groznin dhe së fundmi Akhmat Groznin. Gjithësesi Berisha nuk do të mund të jetë në dispozicion të Ilir Dajës për ndeshjen e kthimit ndaj Hajdukut të Splitit të enjten e ardhshme pasi do të duhej të federohej 24 orë përpara ndeshjes së parë, gjithësesi, nëse Dinamo do të mund të përmbysë humbjen e Splitit dhe të kalojë në playoff, Berisha do të ketë shansin që të ndihmojë ekipin e tij të ri.
Ndërkohë në kuadrin e fjalëve dhe ende larg gjërave konkrete në Itali qarkullon një lëviozje e bujshme që ka të bëjë me kapitenin e kombëtares shqiptare dhe të Atalantës Berat Gjimshiti drejt Milanit. Sipas informacioneve nga mediat pranë klubit kuqezi, pas shitjes së Malik Çau, Milani është kthyer në merkato për të afruar një qendërmbrojtës me eksperiencë. Alegri kërkon një lojtar të besueshëm që njeh mirë kampionatin dhe Igli Tare kësisoj ka piketuar një emër që e njeh mjaft mirë si Berat Gjimshiti.
Gazetari i njohur për lidhjet me klubin kuqezi, Karlo Pelegati, ka bërë të ditur se Tare e Gjimshiti janë në diskutime prej javësh për një hipotezë të mundshëm transferimi. Deri tani nuk ka pasur asnjë hap konkret, por me largimin e Çau drejt Njukasëll, Gjimshiti kthehet në një emër shumë të diskutuar në Milano.
Ndërkohë konkrete madje dhe zyrtare është lëvizja e portierit kuqezit Elhan Kastrati. Ai u prezantua këtë fundjavë tek klubi I ri në Bundesligën 2 në Gjermani, Eintrakt Braunsçveig. Kastrati ka firmosur një kontratë 2-vjeçare që do ti mbajë lidhur deri më 30 qershor 2027. Klubi ka zbuluar se gardiani do të mbajë numrin 13. Rikujtojmë që Kastrati qëndroi për 5 vite te Çitadela në Itali.
Top Channel