
Pas më shumë se dy ditësh ndërhyrjesh të pandërprera, situata e zjarreve në Bashkinë Finiq dhe zonat përreth ka hyrë në një fazë më të qetë.
Forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë, të mbështetura nga ndërhyrje ajrore, kanë arritur të ulin ritmin e përhapjes së flakëve në zonën e Dhrovjanit dhe Parkut Natyror “Syri i Kaltër”, ku rreziku ka qenë i lartë që nga e premtja.
Rreth mesditës së sotme, vatrat në lindje të bashkisë, pranë fshatrave Krane dhe Fitore, u fuqizuan nga era dhe terreni i vështirë, duke u afruar ndjeshëm pranë banesave. Ndërhyrjet e shpejta nga toka dhe ajri kanë mundësuar lokalizimin e flakëve dhe stabilizimin e situatës.
Në terren vijojnë të jenë dhjetë ekipe të përbëra nga zjarrfikës dhe trupa të ushtrisë, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të çdo vatre aktive dhe për parandalimin e riaktivizimeve. Kontrolli i terrenit është i vazhdueshëm, sidomos në zonat ku zjarri është shuar por rreziku mbetet i pranishëm për shkak të temperaturave deri në 40 gradë sot.
Bilanci i deritanishëm tregon për dëme të ndjeshme në disa zona. Në fshatin Krongj, flakët kanë shkatërruar një banesë dhe kishën e fshatit, duke lënë pas mure të nxira dhe rrënoja. Në Velahovë dhe Livinë, ullishtet dhe pemëtaria janë djegur pothuajse tërësisht, duke prekur burimin kryesor të të ardhurave për banorët. Në Ardhasovë, Bistricë dhe zonat përreth Dhrovjanit, sipërfaqe të gjera pyjore janë përfshirë nga zjarri, ndërsa në disa fshatra janë dëmtuar pjesërisht edhe elementë të infrastrukturës rurale dhe mjete bujqësore.
Megjithëse ritmi i flakëve ka rënë, autoritetet mbeten në gatishmëri deri në shuarjen e çdo vatre dhe stabilizimin përfundimtar të situatës.
Top Channel